Greqia u bëri thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga Ukraina dhe të shtyjnë çdo plan për të udhëtuar pasi Rusia ka rritur fushatën e saj të bombardimeve.

Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve grekë që ndodhen në vend të largohen menjëherë.

Ministria tha se ata që janë ende në Ukrainë “të raportojnë menjëherë informacionin e tyre të kontaktit në Ambasadën Greke në Kiev”. Ministria vëren se ambasada greke në Kiev vazhdon të funksionojë me personelin minimal të nevojshëm.

Lëvizja e Athinës vjen pas sulmeve të fundit të Rusisë me raketa dhe dron në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës që e kanë lënë kryeqytetin pa energji dhe ujë.

Shpërthime u dëgjuan në kryeqytet pak pas orës 09:00 me orën lokale të së martës dhe shtëllunga tymi u ngritën nga një stacion energjie pranë lumit Dnipro.

Energjia dhe uji u ndërprenë në Zhytomyr, në perëndim të Kievit dhe dy objekte u dëmtuan rëndë në Dnipro.

Sulmet e fundit erdhën 24 orë pasi Kievi u godit nga dronët “kamikaze” .

Dronët pa pilot, që besohet se janë të prodhuar nga Irani, vranë të paktën tetë njerëz në kryeqytet dhe qytetin verior të Sumy, dhe goditën infrastrukturën kritike, me ndërprerje të energjisë elektrike të raportuara në qindra qytete dhe fshatra.

“Ukraina është nën zjarr nga pushtuesit. Ata vazhdojnë të bëjnë atë që bëjnë më së miri, terrorizojnë dhe vrasin civilë”, tha Presidenti Volodymyr Zelensky në përgjigje të sulmeve.

Më herët në tetor, Greqia iu bashkua SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO në dënimin e fuqishëm të aneksimit të rajoneve lindore të Ukrainës nga Rusia.

Greqia “nuk do ta njohë kurrë aneksimin e paligjshëm të territoreve të Ukrainës”, shkroi të premten në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Kryeministri shtoi se “Rusia po minon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe po shkel të drejtat themelore të Ukrainës për pavarësi dhe sovranitet”, dhe se “Greqia dhe BE-ja qëndrojnë me vendosmëri me Ukrainën”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb