Në ditën e dytë të grevës së urisë të banorëve të Lumasit, i gjithë fshati ka dalë para zyrave të ish-komunës, përballë ndërtesës ku ndodhen grevistët, për të përkrahur 5 grevistët në kauzën e tyre të përbashkët.

Banorët e Lumasit janë grumbulluar përpara zyrave të ish-komunës Lumas me thirrjet: “Burg për drejtorin e policisë Berat”, “Burg për kryebashkiakun e Kuçovës”, “Larg duart nga Sineci”, “Poshtë qeveria” etj.

Ata kanë deklaruar se janë grumbulluar për të përkrahur grevistët dhe se nuk do t’i ndalin për asnjë ditë as protestat e tyre në burimin e Sinecit, deri në pezullimin e plotë të punimeve dhe ndërprerjen e projektit korruptiv të ujësjellësit.

Duke treguar edhe shenjat e dhunës, gratë e Lumasit kanë treguar sesi janë tërhequr zvarrë e dhunuar çdo ditë nga policia. Banorët e Lumasit kanë deklaruar se do t’i bashkohen me radhë grevës së urisë derisa projekti i ujësjellësit të pezullohet. Beteja e banorëve të Lumasit për burimin e Sinecit vijon prej 4 muajsh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb