BALLSH

Naftëtaret e Ballshit vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre teksa rezistojnë për të 13-tën ditë në grevë.

Njëra prej naftëtareve ka pasur një thirrje të veçantë për ambasadoren amerikane Yuri Kim teksa e ka ftuar t’i vizitojë dhe t’i shohë.

Ajo thotë se Yuri Kim duhet të shohë se në çfarë gjendje janë katandisur nënat shqiptare dhe si derdhen lotët në Ballsh për bukën e fëmijëve.

Pyetjes së gazetarit Ervis Kuçi nëse do e linin grevën nëse Rama vjen për të negociuar, naftëtarja i është përgjigjur prerazi se asnjë nga 10 gratë nuk e ka menduar ta lërë grevën pa iu plotësuar kërkesat.

”Gjendja e shoqeve të mia dhe unë jemi shumë rëndë. Me këputje trupi, me dhimbje mezi, por kauza jonë është e drejtë. Kërkojmë pagat e prapambetura të fituara.
Thirrje kryeministrit të tregohet human, të zgjidhë çështjen e naftëtarëve, vëllezërve naftëtarë.
Thirrje ambasadores Yuri Kim, nëse s’me ka dëgjuar ndonjëherë të më dëgjojë sot. Jemi 10 gra që protestojmë për pagat. Ju lutem eja na shiko çfarë gjendje janë katandisur nënat shqiptare. Lotët tona si rrjedhin për bukë për fëmijët tanë. Jemi në një dhomë të uzinës, fëmijët janë në shtëpi pa bukë. Ju lutem na ndihmoni.

Se kam menduar kurrë të lë grevën. E them, kërkoj pagat e prapambetura të fituara me gjyq. Rifillim të punës, që të marr frymë lirisht të ushqejmë fëmijët. S’kanë me çfarë të shkojnë në shkollë. ”- tha naftëtarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb