Franca është përfshirë nga grevat e punëtorëve, për shkak të vendimit për të rritur moshën e daljes në pension për punëtorët.

Grevat ndërprenë shërbimet e trenave, fluturimet, shkollat ​​dhe bizneset ditën e sotme, ndërsa sindikatat e punëtorëve drejtuan protesta të mëdha kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e daljes në pension për shumicën e punëtorëve.

Parisi, Marseja, Tuluzën, Nanten dhe Nisën, u përfshinë nga protestat, ku si pasojë u bllokua transporti. Po ashtu dhe kulla Eifel është e mbyllur për vizitorët.

Tetë nga sindikatat më të mëdha kishin bërë thirrje për një “ditën e parë të grevave dhe protestave” kundër reformave të pensioneve të shpalosura nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron. Legjislacioni do t’u kërkojë qytetarëve francezë të punojnë deri në 64 vjeç, nga 62 që janë aktualisht, për t’u kualifikuar për një pension të plotë shtetëror.

Sekretari i përgjithshëm i sindikatës “CGT”, Philippe Martinez, në një prononcim për mediat ka thënë se ai priste që numri i përgjithshëm i protestuesve të kalonte 1 milion.

Linjat e trenave në të gjithë Francën kanë ndalur shërbimin, ndërsa linjat e metrosë në Paris u goditën nga mbyllja e plotë ose e pjesshme.

Të përshirë në protesta janë dhe më shumë se 40% e mësuesve të shkollave fillore dhe mbi 1/3 e atyre në gjimnaze, sipas raporti të ministrisë së Arsimit të Francës.

Për të ruajtur rendin dhe qetësinë, ministri i Brendshëm i Francës Gerald Darmanin ka deklaruar dje se mbi 10,000 policë dhe personel ushtarak do të vendosen në protesta, duke përfshirë 3,500 oficerë të stacionuar në Paris.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb