Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se shërbyesve civilë, të cilët kanë qenë pjesë e grevës, u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator, por kjo nuk ka ndodhur edhe për sindikalistët e arsimit.

“Te sistemi arsimor nuk janë ekzekutuar, kurse për shërbyesit civilë po, ne nuk jemi kundër ekzekutimit për ta, por nuk është mirë të bëhet kjo ndarje, dhe nëse ndodh deri më 5 tetor që të mos alokohen pagat, do të kemi situatë të tensionuar”, thotë ai.

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Administratë Publike, konfirmoi për REL-in se pagat e tyre janë ekzekutuar.

Por, Qeveria e Kosovës thotë që pagat janë ekzekutuar vetëm për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për greva”, thotë për REL-in, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Neni 18-të i Ligjit për greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Deri në publikimin e këtij lajmi, ekzekutivi nuk i ka kthyer përgjigje në pyetjen shtesë të REL-it nëse pagat nuk janë ekzekutuar vetëm për sindikatën e arsimit.

Ndërsa ministria e Arsimit, thotë për REL-in se tashmë i ka dërguar në ministrinë e Financave të dhënat e Inspektoratit të Arsimit për ata mësimdhënës dhe ato shkolla që kanë zhvilluar mësim gjatë grevës, por shton se “komunat janë përgjegjëse për të dërguar të dhënat e sakta në MF”.

Greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar deri në janar të vitit 2023, bënë të ditur gjatë vikendit përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal dhe qendror, nisi më 25 gusht.

Sindikalistët kërkuan 100 euro për punëtorë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Por, Qeveria publikoi një pako për ndihmë për shkak të rritjes së inflacionit dhe në të u parapa 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe i njëjti është në procedura të konsultimeve publike. Ai më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ky legjislacion pritet të hyjë në fuqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: