Grevistët e fshatit Lumas janë sot në ditën e tyre të gjashtë të grevës së urisë. 5 grevistët që janë ngujuar që prej ditës së martë në një godinë përballë zyrave të ish-komunës Lumas janë përkeqësuar nga ana shëndetësore. Tre prej grevistëve janë më të agravuar se dy të tjerët pasi kanë probleme me hipertensionin dhe aritminë.

Mjekë e infermierë të Qendrës Shëndetësore Lumas vizitojnë çdo ditë grevistët dhe deklarojnë se gjendja shëndetësore e grevistëve po përkeqësohet nga dita në ditë
Sipas tyre grevistët po shfaqin probleme me hipertensionin, këputje trupore dhe aritmi, ndërkohë që 3 prej grevistëve kanë marrë serum ditën e djeshme dhe gjatë natës.

Vetë grevistët kanë deklaruar se edhe pse janë të sëmurë dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet, ata nuk do ta ndalin për asnjë moment grevën e urisë. Grevistët i qëndrojnë fjalës së dhënë për ta çuar grevën e tyre deri në fund dhe për tu vetëflijuar në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Ndërkohë që grevistët janë në ditën e tyre të gjashtë të grevës së urisë, banorët e Lumasit kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit. Beteja për ujin e burimit të Sinecit vazhdon prej 4-muajsh,duke u shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes banorëve me firmën dhe policinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb