NGA TIM HEDGES

Duket se referendumet në Evropë, bëjnë përherë bujë. Sigurisht, autoritetet në Bruksel e urrejnë këtë lloj demokracie. Sikurse e pamë në rastin e Kushtetutës Evropiane, proletariatit thjesht nuk mund t’i besohet se do të japë ndonjëherë përgjigjen e duhur.

Për euro­aparatçikët, mënyra për të zgjidhur, është që njerëzit e duhur (ata), të diskutojnë mbi një seri drekash të paguara nga tatimpaguesit dhe arrijnë në përfundimin që i përshtatet planit të përgjithshëm, të një bashkimit si kurrë ndonjëherë kaq të afërt.

Ata e kanë bërë të qartë zemëratën e tyre ndaj këtij shpërthimi të ri e të rrezikshëm të populizmit, duke tërhequr ofertën, mbi të cilën do të votojë populli grek. Italia ndodhet në një pozitë të çuditshme. Në sipërfaqe duket se ka një farë qetësie mbi këtë çështje:kryeministri Renci u ka dhënë leksone homologëve të tij, sesi evropianët duhet të sillen mirë përsa i përket çështjes së emigracionit (megjithëse, pa shumë sukses).

Ndërkohë Ministri i Financave Padoan, ka mbajtur së fundmi një fjalim që të fut në mendime, mbi efektin që do të kenë ato pak shqetësime, që mund të vijnë nga një dalje e Greqisë nga eurozona, dhe që sipas tij do të trajtohen lehtësisht nga Banka Qendrore Evropiane. Të gjitha gjërat e mira evropiane, në një nga vendet themeluese të Bashkimit Evropian. Por ndërkohë, nën sipërfaqe vlojnë pakënaqësitë.

Pjesa më e madhe e opozitës, Forza Italia e Berluskonit, Liga e Veriut e Meto Salvinit dhe Lëvizja e 5
Yjeve” e Bepe Grilos, janë kundër vijimit të qëndrimit të Italisë në eurozonë. Dhe sondazhet tregojnë, se më shumë se gjysma e italianëve, do të votonin për ta braktisur monedhën e përbashkët.

Nëse do të ketë një votim, ose në parlament ose një referendum kombëtar, gjatë vitit të ardhshëm, ka
shanse që rezultati të jetë kundër euros.
Sigurisht, ndërsa çdo gjë po shkon vaj, nuk ka asnjë arsye për “drekuesit” në Bruksel që të jenë të
shqetësuar. Ajo që mund të shkaktojë një referendum, është një krizë e ngjashme me atë greke. Është e
lehtë të biesh dakord me Pier Carlo Padoan, se largimi i Greqisë nga eurozona, në vetvete nuk do të
shkaktonte një krizë.

Greqia është e vogël, dhe masat mbrojtëse ndaj efekteve negative janë gati. Megjithatë, rrënimi grek nuk po ndodh në një vakuum. Amerika është në pikën e rritjes së normave të interesit. Kjo ka të ngjarë të shkaktojë një kërdi në tregje dhe një valë të re goditëse në të gjithë botën.

Aktualisht bonot italiane, kanë çmime më të ulëta sesa ato të SHBA­ve. Cili do të jetë oreksi për rrezikun italian, ndërsa normat e SHBA rriten në shpatullat e një ekonomie të fortë?

Dhe tregjet janë të shqetësuara për bazamentin. Italia mund t’i jetë rikthyer rritjes – parashikimi është më pak se 1 përqind – por përmirësimi do të jetë e pamundur, në rast se nuk bën reforma të mëtejshme në anën e ofertës.

Ligji për refomën në tregun e punës,“Jobs act” ka hyrë në fuqi, duke e bërë punësimin por edhe shkarkimin nga puna më të lehtë, por Italia është ende një nga vendet më të këqija në botë për të bërë biznes.

Pavarësisht renies së fundit të euros, ekonomia e Italisë është ende e mbivlerësuar me 15­20 përqind.
Pavarësisht masave të ndërmarra nga Renci, sistemi ligjor është i pareformuar dhe korrupsioni është i
përhapur. Dhe nuk ka asnjë skenar bindës, për një rritje të konsiderueshme ekonomike, lëre më pastaj për një normën 5 përqind në vit, çka do të bënte të mundur që Italia të fillonte të paguante borxhet e saj.

Italia, si Greqia, ka nevojë t’i falet një pjesë e borxhit, por askush nuk e përmend këtë. Ajo është shembulli kryesor i “gjuajtjes së kanoçeve” në rrugë. Evropa është e lumtur që vazhdon të veprojë kështu, për shkak se problemi është thjesht shumë i tmerrshëm për t’u përballuar. Për arsye se BE njeh një tjetër fakt themelor:ajo s’mund të bëjë asgjë ndaj borxhit italian. Rifinancimi i Greqisë me 200 miliardë euro është një gjë, në një kohë që borxhi i Italisë është më shumë se dy mijë miliardë. Pra, kërcënimi i Grexit nuk është një problem për Italinë.

Çështja nuk do të diskutohet, dhe njerëzit nuk do të pyeten. Por, çfarëdolloj rezultati që do të prodhojë për Greqinë referendumi, zoti Cipras ka ndryshuar një gjë:Italia, dhe për këtë arsye edhe Evropa, tashmë është vetëm një krizë larg nga katastrofa.

“The Commentator” – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: