Në fillim u mendua të ishte një thashethem, por duket se me shumë gjasa e ardhmja e Eros Grezdas do të jetë në Skoci tek ekipi i Rangers. Skuadra e cila drejtohet nga Steven Gerrard ka bërë një ofertë prej 2 mln stërlinash dhe në ditët në vijim (31 shtator mbyllet merkato) Osijek pritet të pranojë.

Për këtë trasnferim ka folur edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, i cili për “The Sun” ka deklaruar se transferimi i Grezdas do të ishte një marrëveshje me leverdi për Rangers.

“Eros është një lojtarë shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Ai është shumë i shpejtë dhe mund të bëjë gjëra të mëdha në fushë. Mendoj se është përmirësuar shumë që nga koha kur u transferua në Kroaci te Osijek”, ka thënë italiani.

Më tej Panucci ka folur edhe për cilësitë që Grezda disponon dhe që mund të bëjë shumë punë te skuadra e Stiven Gerrard.

“Nga sa informacione kam për të, më herët ka pasur interesime edhe nga klube në Itali e Turqi. Erosi është një lojtar me një nivel teknik shumë të mirë, por gjithashtu ai mund të shënojë edhe gola shumë të rëndësishëm, siç ai që i shënoi Turqisë për ne. Për më tepër është akoma i ri dhe mund të bëjë edhe më mirë. Ai është një lojtarë kyç për ne, por edhe shumë i dashur,”- është shprehur tekniku kuq e zi.

Kujtojmë që me 10 shtator Shqipëria do të luajë me Skocinë për Ligën e Kombeve dhe Grezda është në dyshime për këtë përballje pasi sapo është kthyer nga dëmtimi.

“The Sun” shkruan se 23-vjeçari do të jetë pjesë e futbollistëve të grumbulluar nga Panucci, por gjithsesi mbetet e vështirë duke ditur gjendjen e futbollistit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb