Biseda e personazheve në “Dola te Ola” zhvillohet mbi fotot e të ftuarve, me momente të bukura dhe të dashura për ta, që shpeshherë kanë shënjuar në jetën apo karrierën e tyre. E tillë është edhe një foto e Gridës studente në Budapest, për të atje ka qenë shkolla e saj e vërtetë, “Aty mësova se është e pamundur të fitosh pa humbur”.

Jo të gjithë e dinë që ish-deputetja ka studiuar 8 vjet për violinë, në “Dola te Ola” ajo rrëfen se nuk i pëlqente, pasi duke patur të ëmën mësuese violine, ajo nuk nguronte që në çdo moment t’i përmendte Gridës se duhet të punonte shumë dhe se 99 për qind duhet punë dhe 1 për qind talent. Ndërkohë, në studio shfaqet një foto gjatë promovimit të librit, një pasion tjetër i Grida Dumës që me krenari thotë që, “Këtu jam unë”.

Një tjetër foto shumë e bukur është dhe ajo me Ismail Kadarenë, nga e cila Grida nxitet dhe kujton një nga bisedat më të këndshme që ka patur me të, mbi besimin në Zot. Ajo veçon fjalët e Kadaresë, “Kur kam muzë kuptoj që Zoti më vjen, kur nuk kam krijim kuptoj që Zoti më ka lënë”, por shton se ajo nuk është plotësisht dakord, pasi mendon që Zoti është aty edhe kur nuk e ndiejmë.

E pyetur nga Ola nëse beson apo jo, ish-deputetja thekson se beson shumë, “Mendoj se e vetmja gjë që ekziston është hyjnorja”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb