DURRËS- Kandidatja e djathtë për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma ka prezantuar pasditen e sotme programin e saj për këtë qytet. Gjatë fjalës së saj para qindra banorëve të Durrësit, Duma parashtroi pikat kryesore të programit të saj ku një ndër premtimet kishte të bënte me uljen e papunësisë. Kandidatja e opozitës premtoi 15 mijë vende të reja pune.

“Durrësi është një qytet që i jep nder gjithë Shqipërisë dhe duhet ti japë nder edhe punës sonë.
Dhjetëfishohet sipërfaqja, por nga ana tjetër mundësitë janë të pamata. Luftë frontale ndaj papunësisë, krijim i vendeve të punës. Në të gjithë Shqipërinë përbën një problem, por në Durrës ky është problem i ethshëm. Misioni i tregut të punës, çdo familje duhet të ketë të paktën një person në punë. Për 4 vite ky problem duhet të jetë i zgjidhur. Do të hapim 15 mijë vende pune. Do të ulim taksat vendore”, tha Duma.

Gjatë prezantimit mori pjesë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha si dhe një delegacion nga të rinjtë e partisë Kristian Demokrate të Gjermanisë (CDU) të kancelares Angela Merkel si Conrad Clemens, Drejtori ekzekutiv federal i Unionit të të Rinjve në Gjermani; Younes Ouaqasse, Kryetar i komisionit ndërkombëtar të Unionit të të Rinjve; Ilir Mulaku, pronar i Campus Garden Businesshotel; Heiner Schaumann, Kryesia TowerVenture eG, drejtor ekzekutiv E-Commerce GmbH dhe Heiner Schulte, Drejtor ekzekutiv i ECO Schulte GmbH & Co KG.

Duma gjithashtu premtoi ngritjen e një agjencie lokale për turizmin si një nga kolonat e ekonomisë si dhe promovimin e Durrësit në tregun ndërkombëtar si një brand i ri.

“Agjenci bashkiake për turizmin, që është një nga kolonat e ekonomisë. Do të jetë gjithë kohës në monitorim. Do të bëjë të mundur koordinimin e operatorëve. Do të jetë përgjegjëse për hartën turistike. Promovimi i Durrësit në tregun ndërkombëtar. Të krijojmë brandin tonë. Shëtitorja do të rikrijohet e gjitha ku do të krijohet edhe ajo pjesë e munguar e plazhit publik. Do të rehabilitojmë kalatë. Ky qytet do të zgjohet me historinë e vet natën, duke krijuar historitë tona të reja”, tha Duma.

Kandidatja e PD-së për bashkinë e Durrësit tha se do të zerojë faturat e ujit për të gjithë qytetarët që nuk e kanë marrë këtë shërbim.

“Në konceptin tim ka vetëm drejtësi. Aq sa do të jetë shërbimi aq do të jetë edhe fatura. Kam premtuar se kush nuk ka marrë ujë, do ti zerohen faturat. Për shëndetësinë shumë pak, por jo pak e rëndësishme. Sigurisht që është pjesë e pushtetit qendror por jemi vend bregdetar”, tha ajo duke premtuar shërbim shëndetësor për të gjithë pushuesit. Duma tha gjithashtu se nën drejtimin e saj Bashkia e Durrësit, do të trefishojë linjat e transportit urban.

BASHA: DO ULIM TAKSAT DHE ÇMIMIN E ENERGJISË
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa ka shprehur mbështetjen për kandidaten Grida Duma për bashkinë e Durrësi, tha se parashikohet ulje e taksave dhe e çmimit të energjisë. Basha theksoi se PD synon rritjen e shërbimeve për qytetarët dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

“E di se Grida në këto ditë e natë në kontaktet me banorët e Durrësit ka arritur të kapë thelbin e problemeve, shqetësimeve, ëndrrave dhe shpresave të tyre. Ajo ka arritur që bashkë me ekipin e saj të formulojë zgjidhje konkrete të problemeve të tyre. Secili prej jush, me Grida Dumën, kryebashkiaken e ardhshme të Durrësit këto nuk do të mbeten fjalë, por do të bëhen vepra. Nga jugu në veri qytetarët ankohen për mungesë të mëdha, ushqimore, ekonomike, shërbime. Duan t’u merren parasysh ankesat e shqetësimet. Shumë prej tyre vuajnë për bukën e gojës. Vuajnë papunësinë. Kjo situatë ka shkaktuar eksod të qytetarëve. Premtuan 300 mijë vende pune, por sot nuk e përmendin, pasi s’kanë bërë asgjë për ta zgjidhur këtë problem. Përbaltin kundërshtarin politik duke harxhuar kështu energjitë e tyre, e jo duke punuar. Do ulim çmimin e energjisë me 25 % dhe do të falim kamatëvonesat. Do të ulim taksat dhe çmimin e karburantit. Ky është laku në futin e ekonomisë, familjeve, qytetarëve”, tha Basha.

BASHA: DAKO, SHEMBULLI MË I SPIKATUR I KONFLIKTIT TË INTERESIT
Duke u ndalur tek kandidatura e majtë për këtë bashki, Basha tha se Vangjush Dako është “Shembulli më i spikatur i konfliktit të interesit. Vetëm betonizoi qytetin, dhe bëri projekte korrupsioni për palma që kushton sa në pyll. Në 8 vite nuk punoi një ditë të vetme për të hapur një vend pune”.

BASHA: PAS 8 VITEVE GROSHË KA ARDHUR KOHA QË EDHE DURRËSI TË KETË ËMBËLSIRËN E TIJ
E duke u ndalur tek fushata e kreut të PS, Edi Rama, kryedemokrati tha se “drejtimi i tyre i duhur është groshë, groshë, groshë, pastaj ëmbëlsirë”. Duke vazhduar batutën Basha tha “S’dua të më mërziten fermerët, se të gjithë e pëlqejmë groshën, por pas 8 viteve groshë ka ardhur koha që edhe Durrësi të ketë ëmbëlsirën e tij”.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: