Ish-deputetja demokrate, Grida Duma, reagon për situatën katoike të krijuar në pikat kufitare me Greqinë, ku mijëra shqiptarë kanë mbetur të bllokuar, për shkak të masave shtrënguese të pandemisë nga shteti fqinj.

Teksa publikon pamje të radhëve kilometrike në Kakavijë, ku shihen edhe nëna me fëmijë në krah, ish-deputetja sulmon kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai “u përpoq t’i japë orë edukate morale shqiptarëve që vuajnë në lëkurë çfarë do të thotë të jesh pa shtet, pa mbrojtje, të trajtuar si gjedhë sepse më së paku janë braktisur”.

Reagimi i Dumës:

Sot kryeministri i vendit u përpoq t’i japë orë edukate morale shqiptarëve që vuajnë në lëkurë çfarë do të thotë të jesh pa shtet, pa mbrojtje, të trajtuar si gjedhë sepse më së paku janë braktisur.

Tetë vjet ky njeri që e quan veten kryeministër bën gjueti ku të gjejë fajtorin jashtë, kur nuk e gjen fillon orën e edukatës morale, lëndë që e mëson autodidakt duke bërë prova me durimin e shqiptarëve.

Shqiptarët paguajnë taksë për t’u shërbyer, askund nuk ka lënie në mëshirë të natyrës, as bullgarët as francezët me të cilët guxon t’i krahasojë duke tallur hallin e tyre që po kthehen me shpejtësi në Greqi për të punuar e për të mbajtur edhe familjet në Shqipërinë që e vjel po ky.

Ky që e ka lëshuar qeverisjen dhe qeverinë, merr vetëm benefitet e fundit të pushtetit, me PPP, tendera, konçensione dhe privatizim të Shqipërisë!

Katër ditë të lënë në rrugë, as dinë pse të kthehen, as nëse duhet të rrinë, ikin e vijnë në sakrificë, vuajtje dhe pasiguri mijëra e mijëra shqiptarë.

Askund si në Shqipëri papërgjegjshmëria dhe braktisja nuk ndodh si me qeverinë e Ramës, as të ikin nuk munden me dinjitet.

Për çfarë duhet qeveria nëse nuk ka përgjegjësi dhe nuk merr përsipër asnjë zgjidhje në situata të tilla?

Nuk duhet!

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb