Bypassi i Murrizit mbetet alternative e vetme për qytetarët që duan të udhëtojnë nga Tirana në Qarkun Dibër e anasjelltas nëpërmjet rrugës së Arbrit. Kjo pasi sipas burimeve tona, makinat shtetërore përdorin tunelet të cilat janë të hapura.
Ndërkohë, qytetarët janë të detyruar të përballen jo vetëm me terrenin malor në të cilin është bypassi por edhe me gjendjen e degraduar të tij. Gropat dhe deformimet janë prezente në të gjithë gjatësinë e këtij segmenti rrugor, ku veç të tjerash nuk ka hapësirën e mjaftueshme për të kaluar paralelisht dy automjete.
Drejtuesit e mjeteve thonë se e gjithë rruga është burim aksidenti nga prania e gropave, por edhe për shkak të trasesë së ngushtë në të cilën vështirë të ndërrohen dy automjete pa u ndalur njëra prej tyre. Ata kërkojnë që deri sa të hapet tuneli për qarkullimin e automjeteve, Bypassi të rregullohet pasi po rrezikojnë jetën sa herë kalojnë në këtë segment rrugor.
Për shkak të këtyre problematikave, thuajse çdo ditë në bypassin e Murrizit shënohen aksidente, të cilat fatmirësisht deri tani kanë qenë pa humbje jete njerëzore.
(Balkanweb)