Interi në krizë totale dhe tashmë po mendohet shitja e klubit. Dy shitjet e bujshme, të Hakimit dhe Lukakut, duket se nuk kanë mbuluar dot gropën financiare dhe klubi zikaltër nuk mund të shlyejë dot borxhet dhe për këtë pritet të dalë në shitje.

Edhe pse fituan titullin dhe Inter rriti markën e vet në botë, 1 miliardë euro që Zhang i ka vënë çmimin klubit nuk ofron asnjë. Kartoni i Interit, sipas ekspertëve, duhet të zbresë në 600 milionë euro, ndryshe ofertat do të vazhdojnë të mungojnë.

Zhang duket se po qan ende mundësitë që ka refuzuar më parë për shitjen e klubit, kur me planin e Superligës Europiane, dukej se do të zgjidheshin të gjitha problemet e zikaltërve. Pronësia e klubit vazhdon të jetë e zhytur në borxhe.

Pas kalimit të 68% të aksioneve nga “Suning” te “Great Horizon”, kompani luksemburgase dhe marrjes së borxhit nga “Oaktree”, po afrohet koha që grupi kinez të shlyejë borxhet, që i shtohen edhe 72 milionë euro interesa.

Zikaltrit u detyrohen amerikanëve 340 milionë euro. Në klub po punojnë me bilancet dhe po kërkojnë të krijojnë plusvalencë, pikërisht për të pasur të mundur të afrohen klientët e duhur për ta blerë klubin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb