Përfaqësueset e Partisë Demokratike Dhurata Çupi dhe Orjola Pampuri ishin në Ballsh ku panë nga afër gjendjen e grave greviste të Uzinës së Ballshit. Të revoltuara, ato vënë në dukje braktisjen nga qeveria, pa u dhënë asnjë zgjidhje për pagat e prapambetura.

“Të mbushet xhepi i Arben Ahmetaj dhe i Erjon Braçes dhe Edi Ramës. Paga ime është kacidhe para lekëve që marrin ata. Edi Rama na premtoi se “ari i zi” do të kalojë në Uzinë dhe lekët e prapambetura punëtorët do t’i marrin. Gropa e zezë nuk është Uzina, gropa e zezë është qeveria, është Edi Rama që po shkatërron gjithçka”, tha një greviste, ndërsa një tjetër vuri në dukje mungesën e interesimit nga Ministria e Energjitikës. “Ministrja Belinda Balluku është femër. Le të na japë përgjigje negative. Do ta përtypim. Por vetëm të vijë”, tha një greviste.

“Jemi gra të shkolluara. Nuk e kam menduar asnjëherë veten në grevë, por gjendja ekonomike na solli këtu. Jemi pa bukë. Kemi lënë familjen. Jemi në borxhe dhe kredi deri në fyt. Jemi detyruar të hymë në grevë për pagat e prapambetura, të cilat nuk i kemi marrë prej dy vjetësh”, tha një tjetër greviste.

“Ne duam që të na ikin lotët një herë e përgjithmonë. Përpara 40 vitesh kam hapur themelet e Uzinës, sot jam këtu për bukën e gojës. Kjo është e rëndë”, tha një tjetër grua greviste.

“Kam filluar punë 18 vjeçe dhe sot jam 53 vjeç, ajo punë atje na ka ushqyer, por që të mbetemi në këtë derexhe, nuk e dimë”, rrëfeu një tjetër zonjë.

Për Partinë Demokratike, çështja e pazgjidhur e pagave të prapambetura është një aferë korruptive, që e ka burimin tek qeveria.

“Juve nuk jua mban pagën një biznes, por jua mban pagën qeveria dhe Edi Rama, sepse asnjë biznes nuk guxon të mbaje pagën e punëtorëve, nëse nuk ka mbështetjen e qeverisë”.- u shpreh Dhurata Çupi.

” Edi Rama nuk e shikon realitetin këtu sepse ai po bën shoën e rradhës. Nesër me Partinë Demokratike në pushtet do të keni mbështetjen tonë”, i garantoi gratë greviste Orjola Pampuri.

Vendimi për të hyrë në grevë i grave të Uzinës së Ballshit erdhi 18 ditë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të grevistëve burra.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb