Rruga interubane dytësore Korçë–Ersekë është kthyer në një greminë, e cila po gllabëron miliona euro nga buxheti i shtetit. Kosto ka shkuar 60 milionë euro për një rrugë e kategorisë C një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens, 35 kilometra të gjatë dhe vetëm 8,5 metra të gjerë. Dyshimet janë të mëdha edhe për tenderat e lotit 2 pasi janë fituar nga e njëjta kompani dhe sa 99.9% e fondit limit.

Punimet për këtë aks nisën në qershor të 2013. Tenderi për lotin e parë me gjatësi 17,6 kilometra, u fitua nga kompania A.N.K. me një ofertë prej rreth 17 milion euro. Pas disa vitesh zvarritje kompania nuk i realizoi do të punimet dhe në 2017 u hap një tjetër tender prej 4 milionë eurosh për punime shtesë që u fitua po nga A.N.K. Edhe tenderi i 2020 për pjesën e parë të lotin 2 u fitua po nga A.N.K, kompani në pronësi Agim Kolës vëllait të ish deputetit socialist Ndue Kola. Kësaj radhe vetëm për 4 kilometra rrugë të gjerë maksimumi 8,5 metra u shpenzuan plot 20 milion euro. Sesi ka dalë kjo kosto nuk është e qartë, por vepra arti të rëndësishme nuk ka, ndërkohë është vetë ministrja Belinda Balluku që konfirmon gjerësinë modeste të rrugës gjatë inspektimit në terren në 27 dhjetor te 2021.

Tenderi i pjesës së parë të lotit të dytë i fituar A.N.K ka qenë sa 99.9% e fondit limit. Po me 99.9% te vlerës limit, është fituar po nga A.N.K edhe tenderi i fundit, prej 17,5 milion eurosh për pjesën e dytë të punimeve për të lotit të dytë. Në garë morën pjesë katër kompani: ANK, 4 A-M, Gener dhe Gjoka. Të katërta hodhën oferta financiare që variuan nga 0.01 deri në 0.04% më të ulëta se sa fondi limit i caktuar nga ARRSH. Por tre nga katër ofertat u skualifikuan pasi kompanitë konkurruese nuk kishin dorëzuar një ose disa nga dokumentet e kërkuara nga ARRSH, gjë që e la ANK-në konkurrent të vetëm dhe fitues me një ofertë prej 5 mijë eurosh më të ulët se sa fondi limit prej rreth 17,5 milion eurosh.
Tenderi, klasikohet në kategorinë e tenderëve të dyshuar për marrëveshje të fshehtë mes palëve konkurruese, sipas metodologjisë së vrojtimit të tenderëve të dyshimtë të hartuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas kësaj metodologjie, rezultati i një tenderi duhet të ngrejë flamuj të kuq për autoritetet prokuruese në rast se “çmimet e ofruara nga konkurrentët jofitues janë të barabarta me çmimin maksimal të caktuar në dokumentet e tenderit ose fare pak më të ulët se sa çmimi maksimal,” si dhe në rast se “të gjitha ofertat janë shumë të afërta në çmimet e dhëna pasi kjo sugjeron se konkurrentët mund të jenë duke komunikuar me njëri-tjetrin dhe duke shkëmbyer informacion.”. Në fund fatura i shkon qytetarëve shqiptare, të cilët duhet të paguajnë një rrugë interurbane dytësore prej vetëm 35 kilometrash plot 60 milion euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: