Kukësi bëri një merkato të fuqishme gjatë verës, duke afruar lojtarë më bollëk. Edhe pse u duk sikur në gusht çdo rol ishte i dubluar, nuk rezultoi vërtet kështu. Me dëmtimin e Besar Musollit mbeti “bosh” vendi i tij në mesfushë. Edhe pse stafi teknik u mundua që ta zëvendësojnë kosovarin, duke futur sa Limajn aq edhe Shkodrën, sërish nuk ia kanë dalë. Shkodra po e bën më të mirën në mesfushë këto javët e fundit, por dihet që roli i tij është më i avancuar, e me sforco po arrin të zëvendësojë Musollin.

Pista “Lena”

Të gjendur në këto kushte, drejtuesit e Kukësit po kërkojnë me patjetër një mesfushor të mirëfilltë qendre. Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se një alternativë për këtë rol është një ish. Bëhet fjalë për Nijas Lenën, i cili me verilindoret u shpall edhe kampion në sezonin në 2016-2017. Ai në atë edicion luajti për plot 2415 minuta në krah të Musollit, duke qenë titullar fiks e mjaft i rëndësishëm për skemat e ish-trajnerit Ernest Gjoka.

Pas aventurës me kuksianët, Nijas Lena u largua drejt Teutës, ku luajti për gjysmë sezoni, e më pas te Telavi në kategorinë e dytë gjeorgjiane. Së fundmi është rikthyer në vendlindje, ndërsa është bërë pjesë e ekipit të Strugës. Karriera e mesfushorit nuk ka qenë ajo më e mira që pas largimit nga Kukësi, por drejtuesit kanë sërish besim tek aftësitë e tij. Në kësi kushtesh kanë filluar të interesohen për gjendjen e struganit, e ai po shikohet si një alternativë për mesfushën.

Reagimi i lojtarit

Gazeta komunikoi me vetë lojtarin për këtë çështje, e megjithatë ai as nuk e pohoi dhe as e mohoi. “Nuk mund të them asgjë për momentin”, kështu u përgjigj shkurtimisht 31-vjeçari për një rikthim të mundshëm në Shqipëri. Kukësi duhet të thyejë konkurrencën e Kamzës dhe Laçit, të cilat kanë gjithashtu interes për Nijas Lenën. Sakaq, përveç kërkimeve për një mesfushor qendre, drejtuesit janë në sulm për një bomber. Alternativat janë disa, por Petar Kuniç mbetet pista më konkrete deri më tani. Ata kanë nisur negociatat me boshnjakun që aktualisht është duke luajtur me Larisën. Kuniç në verë u bë pjesë e grekëve, por shtatlarti prej 190 centimetrash nuk po gjen hapësirat e nevojshme dhe kjo mund të sjellë “divorc” të parakohshëm./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: