Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE- Bashkëshortja e Ilir Karçinit, biznesmenit të gazit të lëngshëm, i cili akuzohet se porositi vrasjen e rivalit të tij, Pirro Bare, tek vrasësi me pagesë Julian Sinanaj, “troket” në dyert e Gjykatës së Tiranës. Në kohën kur Ilir Karçini po zhvillon “betejën” gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për të provuar pafajësinë sikurse pretendon, e shoqja e tij, Rovena Karçini, ka hapur një tjetër proces gjyqësor, që ka në thelb llogaritë bankare dhe pasuritë në emrin e shoqërisë “Prima Gas Albania”. Konkretisht, objekti i padisë civile është: “Kundërshtim i veprimeve përmbarimore: Urdhër nr.288, datë 04.11.2014, i Përmbaruesit “Për vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë, depozitat apo kreditë e debitorit nga bankat e nivelit të dytë”. Urdhër datë 04.11.2014 i Përmbaruesit “Për vendosjen e sekuestros konservative mbi mjetet e transportit të debitorit”. Urdhër datë 04.11.2014 i Përmbaruesit “Për vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e shoqërisë (debitorit) pranë QKR”. Në vijim, shoqëria “Prima Gas Albania”, kundërshton gjithashtu edhe urdhrin datë 04.11.2014 “Për bllokimin e pasurive të paluajtshme të debitorit në ZRPP Durrës”, si dhe pezullimin e ekzekutimit të veprimeve përmbarimore.

Gjykatësja Majlinda Doga po shqyrton çështjen me nr.15528 dhe ende nuk ka zhvilluar asnjë seancë, për shkak se seanca përgatitore, e përcaktuar, është shtyrë me kërkesë të palës paditëse. Me sa duket, ky proces ka lidhje me borxhet e shumta që ka kompania “Prima Gas Albania” dhe pamundësinë e shlyerjes së tyre, çka ka çuar deri në bllokim të pasurive dhe llogarive bankare me kërkesë të kreditorëve. Zyrtarisht Gjykata e Tiranës nuk pranoi të jepte detaje mbi këtë padi, duke sqaruar se ende nuk ka nisur shqyrtimi gjyqësor dhe vetëm kur të fillojë, do të bëhen të ditura detajet, për shkak se procesi do të jetë publik. Sa i përket biznesmenit të “Prima Gas”, Ilir Karçini, ai akuzohet se porositi vrasjen e konkurrentit të tij, Pirro Bare. Karçini përfundoi prapa hekurave, pas rrëfimit të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, i cili e implikoi jo pak biznesmenin. Sinanaj tha se me porosinë e Karçinit po përgatiste planin për vrasjen e Pirro Bares dhe për “shërbimin” do të paguhej në shumën e 120 mijë eurove. Vrasësi me pagesë, Sinanaj nuk e vuri në jetë planin, pasi u vu në pranga.

Ilir Karçini po gjykohet në një proces me gjashtë të akuzuar të tjerë, të dosjes së njohur me emrin “Banda e tritolit”. Në këtë proces, janë të pandehur Karçini, Julian Sinanaj, i cili ndonëse ka pranuar të gjitha vrasjet mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ndriçim Gjokona, i penduar i drejtësisë, Albin Mexhaj, kushërinjtë, Andon e Genis Mëhillaj, ky i fundit në kërkim, dhe Marjon Mitro. Anëtarët e së cilësuarës si “Banda e tritolit”, akuzohen për krime mjaft të rënda, nga akte terroriste, vrasje e plagosje.

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb