ANGLI- Teksa kishte kaluar në menopauzë që 20 vjeçe, Alison Noisit i thanë se ajo kurrë nuk mund të lindte fëmijë natyralisht. Kështu që 15 vjet më pas, kur shkoi te doktori me dhimbje të forta stomaku, ajo u mahnit kur i thanë se ishte shtatzënë dhe se do ta sillte në jetë fëmijën e saj brenda pak ditësh.

Alison Nois me familjen36-vjeçarja kishte frikë se mos kishte kancer në stomak teksa ndiente dhimbjet, por pas disa ditësh ajo solli në jetë të bijën, Sofinë.

Ajo tregon: “Sofia është vërtet një mrekulli. Nuk mund ta besonim kur doktorët na thanë se jo vetëm isha shtatzanë, por edhe do lindja së shpejti”.

Instruktorja e fitnesit u alarmua kur u ndje papritur e lodhur pas ngarjes së biçikletës për 60 km. Ajo thotë: “Në të njëjtën kohë vura re se kisha dhimbje në bark dhe në javët e fundit kisha filluar të ndieja një gungë. E tmerruar lashë takim me mjekun e familjes”. Doktori i saj mendoi se ndoshta “gunga” ishte ndonjë kist i madh dhe e dërgoi në spital për teste.

Alisoni e dinte që ishte e pamundur të ishte shtatzënë, pasi në moshën 30-vjeçare, kur edhe u martua, ishin paraqitur sërish tek mjekët për të vërtetuar nëse ajo mund të lindte një fëmijë. Megjithatë të gjitha shpresat u ishin prerë, teksa mjekët u kishin thënë se ishte e pamundur. Znj.Nois i kishte pasur periodat e para si adoleshente dhe madje shumë të rralla, por kur ishte 20 vjeçe periodat i ishin ndërprerë tërësisht. Bashkëshorti i saj, Riçardi, kishte bërë një listë Sofia Alison Noisme me mënyrën se si do ta jetonin jetën e tyre si një çift pa fëmijë. Në dekadën e fundit çifti kishte shëtitur botën dhe ishte dhënë pas pasioneve, si lëvizja me biçikleta për distanca të gjata dhe ngjitje.

Doktorët ende sot nuk arrijnë ta shpjegojnë se si gruaja ka mbetur shtatzënë, duke qenë se as para dhe as pas lindjes ajo nuk ka pasur perioda. Lidhur me problemet e muajve të parë të shtatzënisë, ajo thotë se i ka pasur të vjellat e mëngjesit dhe përzierjet, por ka menduar se bëhej fjalë për ndonjë virozë.

Sot çifti ka një vajzë: Sofinë, e cila është 16 muajshe.

“Po shpresonim shumë për një fëmijë tjetër, por ndoshta Sofia do të jetë fëmija jonë e vetme. Ne po kënaqemi me të pasi është një mrekulli që nuk kishim menduar kurrë se do ta kishim. E shohim dhe ndihemi tërësisht të lumtur”, përmbyll Alison Nois.
(ma.ar/shendeti/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: