TIRANË
Mes skamjes dhe dhunës vazhdon çdo ditë jeta e një familje me 5 anëtarë në Fier. Pikërisht historia e kësaj familjeje ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24.
Familja Troka jeton në Frakull të Fierit mes një varfërie të tejskajshme. Mimoza është nëna e 3 fëmijëve, 2 vajzave dhe një djali, të tre të sëmurë dhe trajtohen me pension invaliditeti.
Problemi më i madh që të katërt, ajo dhe tre fëmijët dhunohen në mënyrë sistematik nga kryefamiljari pasi ai vuan nga probleme të shëndetit mendor. Prej vitesh ai rrezikon jetën e gruas dhe të fëmijëve, i godet me mjete të forta dhe kërkon t’i dëbojë nga banesa.
Pas denoncimeve që kanë bërë e kanë shtruar disa herë në spitalin psikiatrik të Vlorës, por pas ndërhyrjeve që bëjnë familjaret e tij, vëllezërit dhe e ëma e kanë nxjerrë dhe e kanë rikthyer në banesë.
Për shkak të dhunës dhe agresivitetit ai ka shkatërruar banesën, ka thyer dyer e dritare dhe shtëpia është bërë e pabanueshme. Mimoza kërkon ndihmë pasi nuk di si t’i mbrojë më prej bashkëshortit fëmijët e saj dhe bën apel që ata të mos bëhen viktima të dhunës së të atit. “Është shtruar në psikiatri në Vlorë dhe e ka nxjerrë i vëllai. Ndonjë ditë do na vrasë, dua të më ndihmoni”, tha gruaja në emision.
(BalkanWeb)