Të jesh grua është e vështirë. Ky nuk është një slogan feminist, por një e vërtetë dhe sidomos në shoqërinë shqiptare. Janë të shpeshta rastet ku kronikat e lajmeve janë të mbushura me emra grash dhe vajzash që dhunohen, përdhunohen ose vriten. E jo të pakta rastet janë kur ato fyen dhe ngacmohen seksualisht. Kjo temë është trajtuar sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, ku protagoniste ishte një grua nga Gjirokastra e cila ka mposhtur paragjykimet dhe ka gjetur guximin në vete për të denoncuar në polici por edhe në emision një burrë 57 vjeç, i cili e ka ngacmuar seksualisht.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 9 shkurt në qendër të qytetit kur gruaja ka shkuar për të kërkuar ndihmë ekonomike. Ky nuk është episodi i vetëm kur gruaja është ngacmuar seksualisht nga 57-vjeçari që të gjitha këto veprime i fshihte nën emrin e dashurisë.

“Shkova tek qarku për të marrë ndihmë ekonomike kur ai më doli tek shkallët. Ky muhabet ka nisur që prej 5 vjetësh. E njoh prej vitesh sepse e kam pasur gjiton. Ai është i divorcuar prej vitesh dhe jeton me nënën. Ndërsa unë kam qenë e martuar dhe jam ndarë prej 22 vitesh. Më përpara vetëm më thoshte fjalë, këto dy- tre ditë ka nisur të më ngacmojë me duar. Ai nuk më ngacmon vetëm mua por ngacmon edhe të tjerë. Unë e denoncova nuk e di pse nuk merren masat”, deklaroi gruaja.

Ajo ka treguar episodin e fundit me 57-vjeçarin.
“Isha tek qarku. E pashë që erdhi tek shkallët, i hapa rrugën ai më zuri nga mbrapa. Unë e shtyva ai vazhdoi me ngacmimet. I thashë do shkoj në polici. Ai më tha mos e bëj se më ke vëlla. Policia e mori në pyetje edhe bëra ballafaqim por ai e mohoi që më ka ngacmuar. Nuk kishte dëshmitarë”, tregoi ajo.

Gruaja tha se ka frikë se mund të jetë sërish në një situatë të tillë.
“Nuk e kam parë më. Kam frikë se mund ta bëjë prapë. Më thotë nuk martohem se të dua ty. Unë e refuzova i thashë që nuk të dua, por më tha të dua unë.
Ai nuk është serioz sepse është i alkoolizuar. Edhe atë ditë kur më ngacmoi ishte i dehur. Ai kështu tipi është vetëm ngacmon gratë”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb