NGA BEN ANDONI*-
Ndërsa forcat italiane marshonin në Shqipëri dhe anglezët ndiqnin te BBC lajmet për ekspansionin fashist, një grua e moshuar me çorape tvjetra dhe me një pankatë pro-Shqipërisë protestonte e vetme para Buckingam Palace. Pakkush ia vinte veshin, por ajo vazhdonte. Larg duart nga Shqipëria, thërriste gruaja e vjetër që në atë zallamahi dhe ndjenjë të ngritur lufte ishte gjëja më e pavërejtshme. Gruaja, atë ditë, sdo mjaftohej me kaq. Sipas asaj, që do të shkruante më pas një gazetar, një farë Edith Durham i kish bërë një letër familjes mbretërore dhe kryeministrit të saj për Shqipërinë dhe nuk largohej nga dera e monarkëve duke protestuar. Vite më vonë, këtë fakt, do e shënonte edhe Enver Hoxha, në një nga librat e vet, për të treguar se anglezët ishin mosmirënjohës me këtë grua, ashtu si ishin dhe më Shqipërinë dhe kauzën e saj.

Në një farë mënyre, e për ironi të fatit, kishte të drejtë.

Në vendin e saj, Britani, nuk ka asnjë tabelë, asnjë shenjë, që të kujtoj se ajo ka jetuar diku. Dhe, në fakt, sështë ndonjë gjë e madhe. Arsyeja është e thjeshtë, në morinë e atyre figurave që ka Anglia, kjo grua nuk paraqet ndonjë gjë të madhe, veç pasionit të saj. Por, pasioni është shumë më i vogël se politika. Kontributi i saj për Ballkanasit, nuk do të thotë asgjë për Mbretërinë e Bashkuar. Pasi, po të bashkoheshin të gjithë ata njerëz që kanë punuar jashtë Britanisë për vende të tjera, atëherë, kjo puna e shenjave sdo të kishte ndonjëherë fund në udhët angleze.

E megjithatë, shqiptarët e kanë respektuar si askush nga fqinjët Edith Durhamin, edhe pse ajo është treguar po kaq e mirë dhe me serbët, edhe me malazezët, dhe me boshnjakët. E dekoruar nga Zogu, nga Kralj Nikolla dhe autoritetet serbe, ajo pati kurajën që kur filluan masakrat malazeze mbi shqiptarët tia kthejë pas nderimin knjazit, duke i thënë se nderimi i vendit të tij, nuk mund të qëndronte mbi kraharorin e një gruaje, që kish jetuar me frymën e shqiptarëve. Larg gjërave, Edith Durhami mbeti një simbol e mirë human por edhe një grua e këndshme falë të gjithë asaj që kumtoi në kohën e vet. Ajo vizatonte, shkruante dhe dinte të bënte shoqëri të mirë. Ishte nga të pakat gra të huaja, në historinë e Maleve shqiptare, që është lejuar të ulej në tryezat mashkullore dhe më shumë se kaq të përcillte mesazhet e saj. Falë tyre, ajo ka njohur pa fund mentalitetet, ka treguar për juridiksionet e fiseve shqiptare dhe po ashtu dhe për veçoritë e fqinjëve të tyre. E vështirë të thuash se Edith Durhami ishte vetëm e shqiptarëve, më mirë nga të gjitha përcaktimet do ti shkonte vlerësimi “ Krajlica e maleve”, që i dhanë shqiptarët.

Ajo ndihmoi direkt skamnorët e Ballkanit, ajo mblodh shumë të dhëna antropologjike ngado dhe më shumë se çdo gjë tjetër, ajo përçoi zërin e Shqipërisë me potencialin e saj.

Mary Edith Durham (1863-1944) ishte një udhëtare ballkanike që falë punimeve të saj antropologjike në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX, e bëri të njohur Ballkanin në vendin e saj, në atë kohë pishtar i studimeve gjeografike. Thuhet se shumë nga punët e Durhamit i janë dhuruar akademive të koleksioneve pas vdekjes. Në ditët e sotme, dokumentat e saj ruhen nga Museum of Mankind dhe Royal Anthropological Institute në Londër, ndërsa koleksioni i saj me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan gjendet në Pitt Rivers Museum në Oxford dhe Bankfield Museum në Halifax. Muzeumi Bankfield gjithashtu ka një përfaqësi rreth jetës dhe veprimtarisë së saj.

Shqipëria e ka nderuar këto ditë me një konferencë shkencore, organizuar nga Ministria e Kulturës, për ti bindur se të gjithë se kjo grua e ka një shenjë veç emrave të shumtë që ka në Shqipëri.

(d.b/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb