Vetëm pak ditë e ndanin Hamide Magashin, ndoshta nga dita më e lumtur e jetës së saj, pasi do sillte në jetë një foshnje. Dy ditë më parë, e shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hamidja zbret me të afërmen për të blerë bukë, pa e ditur që do të ishin minutat e fundit të jetës së saj.

“Është ish-burri im,” tha Hamidja dhe u distancua për të folur me të. Këto ishin fjalët e fundit të 35-vjeçares përpara se Sokol Halili ta vriste me armë zjarri në oborrin e maternitetit. Hamidja dhe foshnja e palindur që mbante, të dy ndërruan jetë.

Por, a ishte kjo një vrasje e paralajmëruar dhe a mund të parandalohej nëse Prokuroria do kryente punën siç duhet? Sipas mediave kosovare, emri i Sokol Halilit, nuk ishte i panjohur për policinë. Dhuna e vazhdueshme në familje, kërcënime dhe armëmbajtjet pa leje, e bënin dosjen e tij kriminale mjaft të pasur. Ajo që bie në sy është neglizhenca totale e prokurorit Rasim Maloku. E si të mos mjaftonte vetëm kjo, ai hiqej sikur nuk kishte dijeni fare për elementin “Sokol Halili”.

Në një deklaratë për mediat, Maloku, tha se nuk i kujtohej bastisja në fund të muajit korrik në shtëpinë e Halilit në fshatin Godanc të Shtimes. Atij iu gjetën dy armë, njëra pushkë gjueti me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. “As që më kujtohet, as s’e di, absolutisht nuk e di. Nuk më kujtohet. Nuk e di a ka ndodhur apo jo. Nuk e dija që është ngritur aktakuzë. Duhet të shohim rrethanat si dhe tek ka ndodhur,” tha Maloku.

Ndonëse prokurori s’ishte në dijeni se a është ngritur aktakuzë, Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë prej 300 eurosh për armëmbajtje pa leje. Përpos akuzës për armë, në gusht ai ishte akuzuar edhe për “kanosjen” e gruas së tij, e cila më pas e kishte raportuar në Polici. Madje me sa duket as një denoncim i vetë Hamides nuk i ka bërë përshtypje.

“Do ta vras burrin e motrës dhe do të bëj seks në prezencën tënde”. Këto ishin fjalët e të dyshuarit që ishin raportuar në organet ndjekëse nga viktima Hamide Magashi në korrik të këtij viti. E ndjera Magashi kishte raportuar se ishte dhunuar sistematikisht nga i dyshuari Sokol Halili. Ajo kishte deklaruar se në çdo vizitë të cilën kishte bërë te familja e saj kishte qenë nën vëshgimin e vjehrrës dhe të bashkëshortit.

Përpos dhunës Magashi kishte deklaruar edhe se çdo pagë të cilën e merrte nga puna në Komunën e Ferizajt ia dorëzonte bashkëshortit duke i paguar kështu edhe gjobat në trafik. Magashi kishte deklaruar se disa herë më radhë ishte kërcënuar me armë. E megjithatë, pavarësisht të gjithë këtyre akuzave, del se Prokurorit Rasim Maloku, asgjë nuk i kujtohet. Neglizhencën e Malokut e kritikon ashpër edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës do të parandalohej rasti”, u shpreh ajo pas ngjarjes së rëndë.
Ministrja Haxhiu ka thënë se sipas informacioneve që ka marrë, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë fizike dhe psikike, por që prokuroria e kishte liruar në procedurë të rregullt të dyshuarin.

“Ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të raportohet dhuna ndaj grave, sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës do të parandalohej rasti”.
Ndër të tjera ajo ka thënë se secili prej institucioneve si qoftë nga policia, nga qendrat sociale kanë marrë për detyrë të verifikojnë çdo veprim institucional prej momenti të parë kur është raportuar rasti.

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, do të ketë dorëheqje dhe shkarkim”, teksa ka shtuar se “Këto mosveprime e neglizhencë, po inkurajojnë vrasësit e kriminelët, nuk kemi asnjë prokurorë e asnjë gjyqtar që ka dhënë dorëheqje për moskryerje të detyrës me përgjegjësi”.
Ultimatumi i fundit ka ardhur nga vetë kryeministri Albin Kurti. Në një postim në rrjetet sociale ai u shpreh se të gjithë personat përgjegjës duhet të japin dorëheqje. Ndërsa theksoi se po bëhej inspektimi i punës së zyrtarëve të cilët duhet të merreshin me mbrojtjen e viktimës e cila u vra nga ish burri i saj para se të lindte fëmijën.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar. I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”,- shkruan Kurti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb