Në emisionin “Jeta pa filtër” i autores Ervisa Lula ka mbërritur një rrëfim ku në thelb është ndërhyrja e vjehrrës në çift. Një grua që ka dëshiruar të mbetet anonime tregon se si nëna e ish-burrit të saj ndikoi derisa ajo marrëdhënie shkoi në dhunë e ajo u detyrua të largohet, ndërsa gjykata nuk ia dha fëmijët për shkak të gjendjes ekonomike.

Prekëse është lutja që ajo bën për vajzat që të pranojnë ta takojnë e të kuptojnë se çfarë kushtesh ekstreme të dhunës e kanë detyruar të ikë natën nga shtëpia. Kjo situatë konfliktuale, e gjendur shpesh në realitetin tonë, është marrë në analizë nga specialistët, psikologe Aleksandra Puci dhe avokat Saimir Lame. Pasi janë njohur me jetën e rënduar të kësaj gruaje që është përballur me akuzat e stisura për tradhti bashkëshortore, psikologia Puci thotë se ndërhyrjet e palëve të treta, kanë impakt shumë negativ, ndërsa shton se ndodh rëndom që gratë tolerojnë dhunën duke shpresuar se raportet do rregullohen apo se edhe një fëmijë do i afrojë edhe më shumë.

“Kur partnerët nuk kanë pasur komunikim që në fillim, nuk mund ta kenë më vonë..”-thotë Puci. Avokati Saimir Lame shprehet mbi këtë histori a situata të ngjashme se prindërit e divorcuar keqkuptojnë procesin, pasi mendojnë se do humbin të drejtën e prindërimit e shton se pikërisht këtu është roli i gjykatës për të ndarë siç duhet përgjegjësitë e secilit. Lame vëren se ish-partnerët i përdorim fëmijët si hakmarrje ndaj njëri-tjetrit, e pranon se palët vënë shpesh si faktor kryesor të ndarjes, ndërhyrjen e familjarëve, në rastin konkret të vjehrrës e cila manipuloi dhe vajzat e vogla për t’i larguar nga nëna e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb