Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, në një konferencë për mediat bëri me dije së drejtoria e Durrësit ka ngritur një grup punë për të bërë inventarizimin dhe për ta shkëputur hipotekën nga kthetrat e atyre që e kishin kthyer si shtëpinë e tyre.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij Lame, tha se muajt e fundit është ndërmarrë një aksion nëpërmjet të cilit është bërë i mundur edhe zhvendosja e drejtorisë së Durrësit nga ambientet e qendrës tregtare ku ishte prej kohësh.

“Interesat pasurore dhe ekonomike në Durrës arritën më shpejt në Durrës. Për shkak të këtyre interesave kishte edhe një dëmtim më të lartë. Siç jeni në dijeni për shumë vite kjo është një pjesë e turpi. Zyrat e regjistrimit të pasurive kanë qenë në mjediset e një qendre tregtare private. Muajit e fundit ndërmorëm një aksion për ta hequr drejtorinë e Durrësit nga këto ambiente, në vijim të reformës të ndërmarrë nga qeveria për shërbimet online dhe për ta hequr nga kthetrat e atyre që e kishin bërë hipotekën e Durrësit si shtëpinë   e tyre. Tashmë kemi raportin e kontrollit me 600 faqe shumë i detajuar dhe falënderoj grupin që u mor me këtë raport”, tha Lame.

Fjala e plotë e drejtorit të Përgjithshëm të Kadastrës:

Prej 32 vjetësh Shqipëria ka hyrë në rrugën e kundërt të periudhës kolektive, në atë të rishpërndarjes së pronës. Në këtë proces, për fat të keq, zonat bregdetare janë ato që më tepër se rishpërndarjes i janë nënshtruar plaçkitjes.

Kemi vendosur kontrollin në Bregdetin e Jugut dhe në Vlorë. Tashmë i ka ardhur rradha Durrësit.

Tradicionalisht Arkivi i Drejtorisë së Durrësit është konsideruar si më i keqtrajtuari dhe ku është vënë dorë më shumë ndër vite. Por përtej fjalëve, asnjëherë nuk ishte bërë një kontroll për situatën reale të atij Arkivi.

Por pse Durrësi ka qenë edhe më i keqtrajtuar se Vlora dhe, edhe më herët në kohë? Sepse zhvillimi ekonomik në Durrës filloi më herët se në Vlorë dhe interesat për pronën në Durrës u ndjenë shumë më herët, që në mes të vitete ’90.

Siç jeni në dijeni, për shumë vite zyrat e ish-ZRPP Durrës kanë qenë brenda ambienteve të një qendre tregtare private.

Muajt e fundit të vitit që shkoi, pasi ky arkiv u transferua në Tiranë dhe u vendos nën kontroll, u ngrit një grup pune që kreu inventarizimin dhe kontrollin e Regjistrave Pronësore të këtij Arkivi.

Tashmë kemi në dorë Raportin e këtij kontrolli (rreth 600 faqe raport).

Situata që paraqet Raporti e tejkalon çfarëdolloj imagjinate. Mjafton të të them vetëm disa shifra:

Nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime.

Të tjerët, (908 regjistra) rezultojnë të dëmtuar me grisje, heqje fletësh, ndërrime faqesh, etj.

–  730 faqe mungojnë tërësisht (janë grisur dhe nuk janë zëvendësuar fare);

–  243 faqe të zëvendësuara (pra kanë hequr faqen e vërtetë dhe e kanë zëvendësuar me një tjetër);

–  569 faqe të dubluara (pra e njëjta pasuri ekziston 2 herë. Këtë e bënin për të punuar me dy linja për të njëjtën pasuri);

–    25 faqe të grisura (pra është grisur faqja, por ka mbetur pjesa e qepjes);

-1548 faqe bosh (faqe që liheshin bosh herë pas here, me qëllim per t’u përdorur me data te mëparshme).

Sa më sipër janë dëmtimet që duken, pasi ka edhe pafund ndërrime fletësh që janë bërë me art dhe nuk kuptohet që jane zëvendësuar. Kjo sepse regjistrat janë të shqepur dhe mund të heqësh e të shtosh pa hesap.

Regjistrat e dëmtuar më shumë, natyrisht që janë ata që kanë të bëjnë me pasuritë përgjate zonës bregdetare: Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj.

Po e kujt është përgjegjësia e gjithë kësaj situate? Mjafton të them se asnjëherë nuk ka pasur rregullore dhe përgjegjësi të qartë se kush i administronte regjistrat. Kjo bën që kushdo mund të merrte prej tyre, mund të hiqte e të shtonte. Edhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll.

Vlera e parë e këtij inventari, është që të paktën vendos një ditë “0”, pra që pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë dhe ndryshime të pakontrolluara.

Arkivi është me sistem kamerash dhe sistem alarmi. Ka një person përgjegjës për çdo hyrje – dalje dokumentacioni dhe personi.

Ky material do të përcillet zyrtarisht edhe në KM dhe në MD, të paktën për dy arsye:

-Kushdo prej strukturave kontrolluese të mund të vijojë hetimet mbi bazën e këtij Raporti.

-Për t’iu shmangur presionit të lloj-lloj banditëve që sapo të marrin vesh për këtë raport, do fillojnë presionet për të plotësuar gropat e identifikuara.

Nga ana jonë, do të bëjmë bllokimin e të gjitha pasurive që identifikohen si me probleme.

Zgjidhja përfundimtare e kësaj situate, do të vijë përmes procesit të nisur sivjet me mbështetjen ne Qeverisë: Projekti i Skanimit dhe dixhitalizimit të arkivit. Gjithashtu mendoj që gjetjet e Raportit ti bëj publike, pasi kjo do ti shpjegonte publikut se nga gjeneron pjesa më e madhe e halleve dhe sherreve te njerëzve ne zonën e Durrësit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb