Dy muaj më parë, universiteti “Luarasi” dhe klinika gjermane “MICHELS” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë për të trajnuar studentët e fakultetit të shkencave mjekësore në fushat e kujdesit dhe të terapisë.

Sot drejtuesit gjerman të grupit më të madh të Gjermanisë dhe Europës në profilin socialshëndetësor zhvilluan leksion të hapur me studentët e “Luarasit” duke i ftuar të jenë pjesë e tyre përmes praktikave klinike.

Rrjeti i spitaleve gjerman “Michels Kliniken” ka shprehur interesim për të bërë pjesë të saj, studentët e Infermierisë të Fakultetit të shkencave Mjekësore të “Luarasit” nëpër klinika dhe spitalet e saj të njohura në Gjermani, njëherësh u ofron mundësinë edhe për të vijuar praktika profesionale. Prof. Dr. Petrit Bara, dekan i Fakultetit te shkencave Mjekësore “Luarasi” tha se studentët që do të kryejnë praktikat klinike 3 javore në Gjermani do u sigurohet vizë punë, akomodim si dhe pagë e kënaqshme. Në fund pajisen me certifikate. Ambiciet e grupit “Michels” janë të mëdha sipas profesor Bara, ata synojnë të hapin një master profesional bashkë me universitetin “Luarasi” si dhe një qendër rehabilitimi ku praktikat do të hapen edhe për studentë të rajonit. Studentëve të Infermierisë u prezantuan edhe leksione te hapura nga pedagoget gjermanë.

Sakaq studentët e infermierisë në këtë takim u njohën me rrjetin e Klinikave “Michels” në të cilat mund të punësohen, si dhe me procedurat e lehtësuara të aplikimit për ta.

Drejtuesit e grupit “Michels” mundësojnë falas jo vetëm kurs intensiv për përvetësimin e nivelit B1 të gjuhës gjermane për studentët e interesuar të infermierisë por japin edhe bursa.

“Rikthehemi për të dytën herë në Shqipëri. Sot kemi mundësinë që përpara kaq shumë studentëve të interesuar të shpalosim qëllimet tona në këtë bashkëpunim që kemi me universitetin “Luarasi”. Ne nuk kemi përfitime financiare, por duam të sigurojmë gjithçka që duhet nga ana e praktikës. Ofrojmë bursa për studentët, sot ne u tregojmë se cilat janë kushtet për tu pranuar në program”, -tha për News 24 Kurt-Josef Michels, CEO i grupit “Michels”.

Universiteti “Luarasi” dhe klinika e mirënjohur “Michels Kliniken” një ndër ofruesit më të rëndësishëm të shërbimeve shëndetësore në Gjermani prej gati një shekulli më herët kanë nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunim, ku të përfitojnë studentët e fakultetit të shkencave Mjekësore të cilët synojnë tregun evropian të punës. Dy vëllezërit gjermanë drejtojnë rrjetin e klinikave dhe spitaleve “Michels Kliniken” me mbi 3000 personel shëndetësor dhe 3800 shtretër të shpërndarë në disa qytete të Gjermanisë. Ata i mirëpresin studentët që kërkojnë te punojnë muajt e verës në klinikat e tyre.

Avantazh është që shpenzimet janë të mbuluara nga pala gjermane. Bashkëpunimi mes tyre konsiston në shkëmbimin e rregullt të specialistëve të fushave të ndryshme; Praktikat e infermierisë, Kujdesi Mjekësor ndaj të sëmurëve, sidomos riaftësimi e rehabilitimi mjekësor dhe kujdesi ndaj tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb