Një ‘debat’ mes Fatbardh Kadillit dhe mes Edi Palokës është zhvilluar në rrjete sociale. Së fundmi Kadilli ka bërë një status në Facebook, i cili ka kritikuar deputetë të opozitës që nuk e votuan ligjin për hapjen e dosjeve të sigurimit.

Por nuk ka munguar edhe një koment i Palokës, i cili thotë se në Kuvend janë depozituar projektligj që përmban jo vetëm hapjen e dosjeve por edhe ilustracioni.

Statusi i Fatbardh Kadillit në Facebook:

Turp për ata deputetë të opozitës që nuk e votuan ligjin për hapjen e dosjeve të sigurimit.

Nuk kanë asnjë shpjegim logjik, as politik.

Edhe më turp për ata deputetë që e kanë përdorur persekutimin politik në diktaturë si flamur.

Nuk kanë asnjë justifikim, as shfajësim!

Ku ishin?

Me kë janë?

Komenti i Edi Palokës:

Nuk e dike ti Bardh qe ne kemi depozituar një projektligj te plote e jo amendamente te rretushuara nga Tao Balla…?! Kemi depozituar projekt ligj qe përmban jo vetëm hapjen e dosjeve po dhe lustrazionin. Ligj që dënon jo vetëm bashkëpunëtorët e Sigurimit , (te cilet sic duhet ta dish edhe ti shume mire, per fat te keq jane rekrutuar shumica pikerisht nga familjet e persekutuara.) por dënon sidomos kriminelet e vërtetë , krerët e nomeklatures , ata të Sigurimit dhe hetues e prokurore të komunizmit. Amendamentet e votuara dje, nuk kane asgjë nga këto sepse siç e tha Rama kanë patur vetëm nje objektiv, të përdoren ndaj kundërshtarëve…Ti duhet ti dish këto e jo të na tregosh se kush duhet të ktë turp apo jo Bardh se je dhe nga familje e persekutuar…

Por replika ka vijuar edhe më një kundërpërgjigje nga ana e Kadillit, pas komentit të Palokës.

Kadilli thotë se nëse diktatura komuniste mbetet e pandëshkuar politikisht dhe si etikë atëherë faji mbetet i tyre, duke shtuar: “Kemi qeverisur 13-14 vjet këtë vend nuk mund të ketë asnjë justifikim”

Përgjigja e Fatbardh Kadillit

E di shumë mirë, siç e dimë të dy shumë mirë që ky vend vazhdon të vuaj hijet e së shkuarës.

Si person që vij nga familje e persekutuar nuk e pranoj dot akuzën që shumica e bashkëpunëtorëve vjen nga shtresa ime. Ne si Parti kemi vuajtur pikërisht nga kjo sëmundje. Nga “spiunët” dhe përdorimi i spiunëve. Kushdo që ka bashkepunuar duhet të largohet nga jeta publike. Dhe nqs qendron të qëndroj kur njerëzit ta dinë që ka shitur shpirtin.

Sa për lustracionin miku im, besoj të dy e dimë që asnjëherë nuk u bë i plotë, sepse gjithnjë u vendos në axhendën politike të ditës. Edhe në ‘95 edhe në 2008 në prag zgjedhjesh dhe në axhendë konkrete. Pse nuk e bëmë në 2006, 2010? Nqs sot diktatura komuniste mbetet e pandëshkuar politikisht dhe si etikë, fajin e kemi ne. Nuk ua kërkoj dot atyre që janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Pasi kemi qeverisur 13-14 vjet këtë vend nuk mund të ketë asnjë justifikim. Nuk bëmë asgjë për të zëvendësuar pop kulturën e komunizmit.

Kujtojmë se Kuvendi miratoi dje (20.10.2022) projektligjin për ndryshimet në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kuvendi miratoi me 95 vota pro dhe 2 abstenim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.

Deputetët e grupit të Alibeaj bashkuan votat me maxhorancën, duke votuar pro ligjit për hapjen e Dosjeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: