NGA: Darina Tanushi * TIRANE- Deputetët socialistë shpërthyen dje në kritika ndaj ministrave të qeverisë “Rama” për emërimet që janë bërë në administratën publike. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, që drejtohej nga kryetari i tij, Gramoz Ruçi, pati mjaft debate sa u përket punësimeve në administratën publike. Burimet nga mbledhja e grupit bënë me dije për “Gazeta Shqiptare”, se një pjesë e madhe e deputetëve kanë shprehur shqetësimet dhe presionet që marrin nga elektorati për mospunësimin e kontributorëve të tyre. Një prej deputeteve të njohura prej vitesh e Partisë Socialiste, Arta Dade, ka ngritur shqetësimin se në dy vjet qeverisje, ende vijojnë të mbeten në administratë militantët e PD-së.

“Po bëjmë reforma, po me kë po i bëjmë reformat?” – është shprehur Dade, duke theksuar se duhet parë me vëmendje kjo çështje. Më i ashpër mësohet se ka qenë deputeti tjetër, Bashkim Fino, i cili mësohet të jetë shprehur se drejtorët duket se nuk i përfillin ministrat.

“Ne presim të bëhen konkurset, ndërsa LSI-ja i punëson njerëzit e vet pa konkurse e pa DAP”, – mësohet të jetë shprehur Fino. Ai ka kërkuar që të gjithë drejtorët të kalohen në filtër, nëse kanë kualifikimin e duhur apo janë emëruar politikisht. Deputetët kanë qenë në një mendje, se nëse reformat po zbatohen nga këta njerëz që nuk janë emëruar sipas kritereve, kostot politike i mban në kurriz e majta. Por, pati edhe nga ata deputetë që u ankuan, duke thënë se propozimet e tyre për punësime nuk merren parasysh. “Duhet të kesh akses te ministri që të punësohen njerëzit”, – mësohet të jetë shprehur një nga deputetët.

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, mësohet të jetë shprehur se e ka theksuar shpesh, se bazë e emërimeve në administratë do të jenë dhe janë konkurset, dhe jo njohjet e deputetëve. Një prej deputetëve socialiste, Pjerin Ndreu, ngriti pikërisht shqetësimin se në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, ende vijojnë që pjesa më e madhe e punonjësve të jenë militantët e PD-së dhe sa herë ka aksione lajmërohen të parët biznesmenët demokratë. Deputeti socialist i Malësisë së Madhe, Paulin Sterkaj ngriti, veç shqetësimit se përse nuk plotësohen vendet në administratën publike, edhe atë për masat ndëshkuese ndaj biznesit.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani mësohet të ketë thënë se në tatime janë 30% e vendeve bosh, por nuk mundet të plotësohen, pasi niveli i kandidatëve që konkurrojnë në konkurse është shumë i dobët. Deputeti Sterkaj kërkoi që konkurset të ribëhen dhe të plotësohen vendet bosh, në mënyrë që të mos bllokohet puna. Deputetët diskutuan edhe për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe paketën fiskale që e shoqëron atë. Kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, kujtoi vendimin e qeverisë për të bërë zero taksën e biznesit të vogël që nuk bën më shumë xhiro vjetore se 5 milionë lekë të reja në vit. Sipas Braçes, ky është një nga vendimet që nuk është marrë asnjëherë në 25 vjet dhe kjo favorizon biznesin.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: