TIRANE– Grupi i njohur “Elita 5” do të ndezë skenën e Amfiteatrit tek kodrat e Liqenit. Mbrëmjen e së premtes, grupi legjendar i rrokut do të performoje këngët më të mira, duke festuar kështu edhe 30-vjetorin e krijimit të tij.

Disa orë para koncertit anëtarët e grupit janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i vlerësoi për frymëzimin ndër vite të shumë shqiptarëve.

“Ju falënderoj me gjithë zemër, jo vetëm që keni vendosur të festoni përvjetorin në Tiranë, por edhe se nuk jeni lodhur duke na kujtuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se sa gjëra që na ndajnë. Muzika është një prej tyre, rebelimi po ashtu, të mospajtuarit me disa realitete është një prej tyre”, tha ai.
Në shenjeë mirënjohje Veliaj i dorëzoi vokalistit Arif Ziberi “Çelësin e Qytetit”.

“Jo se kohët janë më të vështira se ç’kanë qenë, por për të treguar edhe pak bujari, Çelësin e Qytetit mund ta rezervojmë vetëm për miq të veçantë, që vijnë pa trokitur, që vijnë në çdo orë të ditës dhe të natës, që janë si në shtëpinë e tyre. “Elita 5” na ka ndryshuar jo vetëm pikëpamjen për botën, por na ka hapur një dritare në botë, në një moment kur Shqipëria ende nuk e kishte njohur që përtej Adriatikut kishte një botë tjetër”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Ky është një çmim shumë i madh, me të vërtetë çmimi më i lartë që grupi “Elita 5”, ka marrë deri më sot dhe prej sot do të ndihemi si qytetarë të Tiranës, pasi kemi çelësin. Shumë faleminderit që na keni kujtuar, që na keni përkrahur dhe që na prisni çdo herë me pozitivitet e optimizëm kur vijmë në Tiranë.
Në mbrëmje, rroku i “Elita 5” do të kumbojë në kodrat e Liqenit me hitet më të mira të grupit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb