Dinamo­-Elbasani rezultoi edhe më e fortë nga sa mendohej. Edhe pse takimi përfundoi me rrjeta të paprekura (0-0), kjo sfidë ishte shumë e nxehtë për sa u përket aksioneve, gjuajtjeve në portë, por edhe lojës së ashpër, nga e cila elbasanasit u ndëshkuan me plot 7 kartonë të verdhë dhe një të kuq.

Një atmosferë e bukur është krijuar në Pezë nga grupimi i tifozëve dinamovit, “Blue Boys”. Dinamo dominoi takimin në pjesën më të madhe të lojës, por nuk arriti dot të shënonte. Ndërsa portieri Elvis Kotorri ishte lojtari më i mirë në fushë, ku shpëtoi në të paktën tre raste ekipin e tij nga goli.

NDESHJA
Loja nis e shpejtë dhe e bukur ku në të 3-­ën Peqini kroson bukur për Sulejmanin dhe ky i fundit gjuan, por topi përfundon jashtë. Në të 12- ën, Gërxho gjuan nga rreth 25 metra, por topi shkon pak larg shtyllës.

Në të 16­-ën, Gërxho kombinon me Arifaj, ky i fundit triblon bukur Kaçulin, kroson për Turdiun, por sulmuesi nuk e shfrytëzon siç duhet. Në minutën e 32­-të, Rexhepi ndal në mënyrë të gabuar Agastrën dhe arbitri akordon faull. Ekzekuton Alikaj, por gabon.

Dinamo kërkon me çdo kusht golin dhe hidhet e gjitha në sulm, por nuk arrin të finalizojë siç duhet. Pjesa e dytë rezulton me shumë kartonë dhe faulle sesa lojë e pastër futbolli. Në të 52-­ën, Peqini kroson në zonë dhe topi shkon rrezikshëm drejt portës, por Birja e pret me vështirësi.

Në të 60-­ën, Arifaj fiton faull nga rreth 20 metra. Ekzekuton Gërxho, por Kotorri pret pa probleme. Elbasani ka rastin më të mirë në minutën e 70-­të. Rexhepi del huq brenda zonës, përfiton Agastra, i cili gjuan fort, por Birja bën mrekullinë dhe e grushton topin në korne.

Pas këtij rasti, elbasanasit nisin lojën e ashpër, ndërsa arbitri nuk kursen as kartonët. Në të 71-­ën, karton të verdhë për protestë për Agastrën dhe katër minuta më vonë radhën e ka Kotorri pasi vonon lojën. Dinamo mundohet të dalë dhe në të 80-­ën Arifaj fiton goditje dënimi në hyrje të zonës. Ekzekuton Gërxho, por këtë herë pason diagonal për Majkëll, i cili fut topin në zonë, por sfera ndalet nga Dosti dhe blutë i vërsulen arbitrit duke kërkuar 11­metërsh. Proteston stoli dhe tifozët për këtë rast, por gjyqtari nuk e konsideron faull.

Një minutë para përfundimit të kohës së rregullt, vjen edhe momenti që i prish bukurinë sfidës. Një ndërhyrje e Aldo Bellës së Elbasanit ndaj Arifajt të Dinamos bën që gjakrat të nxehen. Lojtarët në fillim shahen, ndërsa afrohen dhe goditen me njëri-­tjetrin. Ndërhyjnë futbollistët e tjerë që qetësojnë gjakrat. Të dy futbollistët ndëshkohen me kartonë të kuq, ndërsa deri në fund nuk ka asnjë gol. /Panorama sport/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: