TIRANE – Deputeti socialist, Tom Doshi, më 30 tetor 2013 ka marrë një vizë njëvjeçare amerikane, pavarësisht se dyshohej si një nga politikanët e lidhur me krimin e organizuar nga kabllogramet e Wikileaks. Ky lajm është botuar një ditë më pas në “Gazetën Shqiptare”, shkrim që sot i vjen në kohë, përjashtimit të Doshit nga PS-ja dhe reagimit të ambasadës së SHBA-së. Ja çfarë thuhej në shkrimin e atëhershëm.

Gazeta Shqiptare, 31 tetor 2013

“Deputeti socialist, Tom Doshi mori dje vizë njëvjeçare amerikane.”Ishin pikërisht kabllogramet e së famshmes Wikileaks, të cilat ngjallën gati dy vjet më parë debate për disa nga politikanët që “janë të lidhur me krimin e organizuar”. Ndaj edhe emri i deputetit të PS-së u lakua në atë kohë si një prej tyre, bashkë me emra të tjerë. Madje nga zyrtarë të Partisë Demokratike u tha se pikërisht për shkak të këtyre informacioneve, atij i ishte refuzuar viza amerikane dhe nuk lejohet të shkojë në SHBA. Por dje, deputeti ka marrë vizën e shtetit më të madh dhe jo pak, por një vizë njëvjeçare me shumë hyrje-dalje, duke hedhur poshtë zërat për një refuzim të Amerikës ndaj tij. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Doshi pohoi marrjen e vizës amerikane dhe tha se: “Mua nuk më është refuzuar asnjëherë viza amerikane. Është hera e parë që aplikoj dhe e mora njëvjeçare me shumë hyrje dalje”.

Në kabllogramet e Wikileaks thuhej se: “Doshi, i përmendur në raportin e Qendrës për të Drejtat e Njeriut për sulmin fizik ndaj një gazetari në hotel ‘Sheraton’, është një nga figurat kryesore që financon përpjekjet e Partisë Socialiste. Ai njihet si deputeti më i pasur, me një pasuri të deklaruar më të madhe se 15 milionë dollarë dhe i dyshuar për trafik narkotikësh”.

Lojërat e fatit

Ndërkohë dje, deputeti socialist postoi një sqarim në profilin e tij në rrjetin social, “Facebook” që ka të bëjë me lojërat e fatit. Në dialektin shkodran, Doshi shprehet se: “I baj me dije të gjith shpiptarve që informacionet që qarkullojnë si legjenda urbane rrugëve të Shqipërisë për lidhjen time me lojrat e fatit ju informoj sot që un nuk kam dhe as nuk kam pas ndonjëher lidhje me lojrat e fatit. Un sot i propozoj Kryeministrit të Shqipërisë ti mbylli përfundimisht kto lloj aktivitetesh, sepse janë pikërisht lojrat e fatit që shkatërrojnë dita ditës mijëra familje shqiptare”. Deputeti socialist thekson se: “Gazeta ‘RD’ me kryeredaktor Sali Berishën sot shkrujti për lidhjen teme me lojrat e fatit, më lejoni t’ju tham që kto janë vetëm tratativa të paefektshme për të cënu pozicionin tem në lidhje me këtë çështje. I baj thirje sot Sali Berishës që nëse ju bashkë me njerzit tuaj gjeni qoft edhe një lidhje mes meje dhe lojrave të fatit un heq dorë përfundimisht nga politika”. – Këtu përfundon shkrimi i botuar në GSH.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: