TIRANE – Marsel Qeleshi, 18-vjeçari që goditi me gurë autobusin serb ka lënë sot qelinë, pasi gjykata rrëzoi kërkesën e prokruorisë dhe vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për të riun jetim, mbi të cilin rëndonin tri akuza; ajo e “shkatërrimit të pronës”, “prishjes së qetësisë publike” dhe “kryerjes së veprimeve të dhunshme ndaj personave të mbrojtur ndërkombëtarisht”.

Në dosjen e prokurorisë sqarohen rrethanat e ngjarjes dhe arsyet përse Qeleshi e goditi autobusin e Kombëtares serbe, që në fakt, nuk pësoi ndonjë dëmtim të rëndë.

“Në datën 07.10.2015, rreth orës 18:00, ekipi i Kombëtares së Futbollit të Serbisë kishte ardhur në Tiranë, pasi në datën 08.10.2015, në stadiumin e qytetit të Elbasanit do të luhej ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi. Rreth orës 18:45, autobusi i Kombëtares serbe ka qenë duke qarkulluar te Rruga e Durrësit. Në afërsi të gjimnazit ‘Qemal Stafa’, shtetasi Marsel Qeleshi ka qëlluar me gurë në drejtim të autobusit të Kombëtares serbe, duke shkaktuar dëmtime, dhe më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Marsel Qeleshi, e pranoi faktin se ishte pikërisht ai personi që e ka goditur me gurë autobusin dhe pranon gjithashtu faktin se në momentin që ka bërë këtë veprim ndodhej në afërsi të gjimnazit “Qemal Stafa”. 18-vjeçari ka treguar edhe motivet e goditjes me gurë të mjetit të serbëve dhe, ndonëse prokuroria është e rezervuar të japë detaje lidhur me këtë fakt, nga burime të “GSH” mësohet se Qeleshi është shprehur se, goditjen e bëri për shkak të urrejtjes.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: