Nga: EDMOND TUPJA

Para disa vitesh, një mesnatë, pasi kisha mbaruar së lexuari librin e Fatos Baxhakut me titullin lakonik “Gurët”, i cili më la mbresa të thella, ëndërrova gurë, gurë madhështorë dhe në mendje më erdhi proverbi ynë i lashtë “Guri i rëndë në vendin e vet”.

Para disa javësh, tek kaloja buzë sheshit “Skënderbe”, atje ku Muzeu Historik Kombëtar qëndron si i tulatur përballë Hotelit Ndërkombëtar të Tiranës, që populli ynë i thjeshtë, i urtë e i varfër (më shumë sesa duhet) e quan rëndom 15-katëshi, sytë m’u vonuan mbi ca gurë të mëdhenj të vendosur atje para disa kohësh me qëllime sigurisht dekorative, çka sot qenka “tendence”; mirëpo, në mendje më erdhi pikërisht proverbi “Guri i rëndë në vendin e vet” dhe ata gurë m’u dukën si të çrrënjosur me pahir e si të shpërngulur me dhunë nga vendi i tyre mes malesh të larta ende të populluara me gojëdhëna kreshnikësh; njëkohësisht, ata m’u dukën fatkeqë e jetimë larg vendlindjes së tyre, d.m.th. tragjikë.

Para disa ditësh, tek prisja dikë nga miqtë e mi bash në të njëjtin vend e ky dikush po vononte të vinte, vura re se diçka kishte ndryshuar te gurët e mi fatkeqë e jetimë: nuk m’u dukën më tragjikë, por, oh, e tmerrshme, m’u panë komikë, madje, më saktë, qesharakë! Ata gurë, dëshmi gjeohistorike shumëshekullore e malësive shqiptare, i kishin futur me rastin e festave të fundvitit, në ca qese, trasta ose torba të tejdukshme me ngjyra astmatike, malarike apo sifilitike.

O Zot, mend klitha unë, ateisti, faqe njerëzve të ngeshëm që endeshin rreth barakave dhe bredhit gjigant të Vitit të Ri, të cilët kishin mbirë si kërpudha të rralla e të mardhura përballë monumentit të vrenjtur të Heroit Tonë Kombëtar, solidar të atyre gurëve të shkulur nga zemra e maleve, ku ai, para disa shekujsh, u bëri ballë hordhive të pushtuesve osmanlinj.

Tek çapitesha rreth e qark gurëve fatkeqë e jetimë, papritmas, pata përshtypjen se atyre u kishin hequr burrërinë duke i shndërruar në guriçka të futura si karamele nëpër qeska qesharake e qaramane njëherazi. Pastaj duke i këqyrur pak më nga larg ata gurë të skllavëruar në përputhje me ligjet e dramave tragjikomike që po luhen sot në kurriz të popullit tim, më erdhi ndërmend një shprehje fort domethënëse sa vjen e më e përdorur në vendin tim: “Fjalë të bukura e gurë në trastë”! Oh, Eureka!

Sa nuk ulërita për pak. Fjalë të bukura premtuese na blatojnë rregullisht qeveritarët tanë aktualë, por nuk i mbajnë thuajse fare premtimet e tyre përrallore, ndërkohë që na i mbushin trastat jo me grurë, por me gurë! Besoj se lexueset dhe lexuesit e mi të përjavshëm e kuptojnë tani mesazhin që përcjellin gurët e veshur me qese dantellash si çupka të llastuara që mamaçka me babaçkën i kanë sjellë në sheshin “Skënderbe” të shëtisin e të argëtohen, mesazh që zbërthehet pak a shumë kështu: O popull shqiptar, kot e ke që përpiqesh mjerueshëm të na kundërshtosh, ngopu me fjalë, llafe apo dëngla, quaji si të duash, se gurë në trastë përherë do të kesh, se ti për ne, qeveritarët e tu, gjithmonë gur shahu ke qenë e do të jesh, se ne, qeveritarët e tu, në vend të zemrës kemi një gur, por në dorë i kemi të gjithë gurët, se ne, qeveritarët e tu, me një gur i vrasim të gjithë zogjtë pasi i kemi rrjepur në ajër, se ne, qeveritarët e tu, kemi në dorë edhe gurin edhe arrën, por ne nuk të japim as edhe një gur për të çarë kokën, a more vesh o popull dele, që ne të qethim e të rruajmë si të na dojë palla?

Së fundi, në këtë përsiatje e sipër, befas m’u kujtua një këngë popullore e Shqipërisë së mesme, e cila fillon me këto fjalë: “Oh, mu ke guri qi bon xixa…”, prandaj u hodha një vështrim të fundit gurëve të mi fatkeqë e jetimë buzë sheshit të pikëlluar “Skënderbe” dhe një si shqisë e gjashtë më tha se me siguri këta gurë të syrgjynosur duhet të jenë zgjedhur të tillë në mënyrë që të mos lëshojnë kurrsesi xixa, sepse, kushedi, për dreq një xixë e vetme mund t’i vërë flakën bredhit të Vitit të Ri për të ndriçuar të ardhmen mjerane të popullit tim halleshumë e gëzimpak, i cili sa vjen e më shumë po kërruset nën peshën e trastave ose, më saktë, të thasëve të tij plot e përplot me gurë të rëndë, fatkeqë e jetimë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/gure-ne-traste/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: