Gushti dhe shtatori shënjojnë jetën dhe vdekjen e At Zef Pllumit. Data e 28 gushtit të vitit 1924 i dha jetën, ajo e 25 shtatorit 2007 i mori atë fiziken, tokësoren, por jo të amshueshmen, jetën pas vdekjes, thagmën, e cila atë ditë sapo nisi.

Enver Robelli, publicisti dhe gazetari i njohur kosovar, teksa e kujtonte mjeshtërisht në 96-vjetor kund dy javë më parë, habitej sesi emri i tij nuk gjendej në Fjalorin Enciklopedik shqiptar, botim i Akademisë. Në fakt, habi do të ishte e kundërta. Pllumi i pangjashëm me të gjithë me jetën dhe veprën e tij nuk mund të rehabilitohet nga persekutorët e tij faktikë dhe moralë. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, një persekutore morale, ka për kryetar një person që ishte ministër Arsimi në kohen e diktaturës, kur Frati endej sa në një burg në një tjetër.

Mendoni si i duket atij françeskani me zhgunin e shenjtorit të Asizit. Por ani atij, asgjë s’i duhen sinorët formalë të një shteti çapraz, i cili sot për sot di çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën. Këtu burrave më të mëdhenj u janë prishur varret e tretur kockat përroskave. Zef Pllumi është imponuar në kulturën dhe historinë shqiptare në formën e një shpërthimi duke shkatërruar kufizime, tabu, gënjeshtra, ideologji, propagandë, hierarki dhe institucione gjykuese. I botuar në gjuhët dhe vendet e mëdha të kulturës në SHBA, Francë dhe Itali në anglisht, frëngjisht, italisht e të tjera, ribotuar disa herë në Tiranë, Shkodër e Prishtinë, me kryeveprën e tij “Rrno vetem për me tregue” ka ndërtuar si askush tjetër përmendoren e moralit të shkrimit në letrat shqipe dhe statusin e së vërtetës në histori, si kusht themelor për progres shoqëror.

T’i kesh njohur nga afër, të kesh kuvenduar me personalitete të tilla është fat, por edhe kurth njëkohësisht, tentacion për të rrëfyer kështu më tha, kështu mendonte, duke rrezikuar të shndërrohesh në abuzues sepse të vdekurit nuk flasin, as të konfirmojnë, as t’i mohojnë ato që thua.

Pas Robellit mori shkas e përkujtoi edhe Kryeministri Edi Rama, me një tekst të shkruar bukur (po kaq të tillë edhe për Camajn), i cili nuk gënjen aspak kur thotë që e ka njohur herët dhe ka pasur miqësi me të në fillimin e viteve ‘90. Si kryetar Bashkie i Tiranës (Rama) një shkolle të re i pat vënë emrin “At Zef Pllumi”, si ministër Kulture e pat thirrur në bordin këshillimor së bashku me Plasarin, Lubonjën, Mishën, Pangon e Lanin, por vetëm dy herë se më pas iu rënden dhe s’i desh më nëpër këmbë. Pllumi u pat kërkuar në mbledhjen e dytë e të fundit të mbanin një minutë heshtje, në nder të Azem Hajdarit. Me gjasë i duheshin emrat e tyre dhe jo këshillat.

Nëse kthehemi në retrospektivë në vjeshtën e vitit 2007, kur në Shkodrën e tejmbushur më qytetarë që kishin ardh nga diaspora, nga Kosova, nga shumë qytete të Shqipërisë, kishte edhe shumë politikanë që ishin aty për t’i dhënë lamtumiren e fundit At Zef Pllumit, si: Presidenti Bamir Topi, por edhe Edi Rama e Ilir Meta, Preç Zogaj, Bujar Leskaj, Spartak Ngjela, të cilët qëndruan deri në fund të riteve duke hyrë brenda në kapelën e kishës tek “Arra e Madhe”. Po kështu, President Moisiu që i kishte akorduar në të gjallë medaljen “Nderi i Kombit” ishte aty. Sali Berisha, asokohe Kryeministër, megjithëse ka pasur me të në disa raste marrëdhënie acide pa konflikt të hapur, ia bëri nderimet në Rinas ku trupi i pajetë kthehej nga Roma dhe gjithashtu pat ofruar funeral shtetëror, duke caktuar Gazmend Oketën si kryetar të komisionit, por françeskanët nuk pranuan, ndonëse Garda e Republikës e shoqëroi arkëmortin në rrugët e Shkodrës.

Shkëlqente me mungesën e saj të pashpjegueshme Kryetarja e Parlamentit, kryetari i bashkisë së qytetit, mbase të dy si refuzim ndaj rebelit që nuk bënte kurrë hosana.

Jo rastësisht dhe për kronikë po i rendisim këto detaje. Politikanët shfaqen në ditë morti ku flasin me fjalë të zgjedhura, duken të pikëlluar, të vetëdijshëm çfarë vendi humbet dhe njëkohësisht si testamentarë a noterë publikë, që trashëgimia e tyre do të ruhet, përkujdeset, përçohet e të tjetra nuanca. Por kështu nuk është. Në tetë vite si Kryeministër, Edi Rama nuk është kujtuar kurrë të bëjë diçka konkrete për At Zefin, nuk është marrë me përvjetorët e tij, nuk ka pyetur ku e ka shtëpinë, as ai e as mësuesi i tij, Fishta, për ta restauruar, nuk i ka ngucur ministrat e tij të Arsimit të pyesë se sa është në politikat e tyre arsimore futja e veprës së tij në kurrikula. Asnjë PPP s’ka interes për ata.

Por kujtohet, kur? Në prag të zgjedhjeve politike dhe pasi nga “bota katolike” në shumicën e rasteve ka nxjerrë si përfaqësues njerëz të hurit e të litarit. Po kaq, kjo qeveri dekoroi hetuesin mizor të Pllumit, Shyqyri Çokun, për të cilin Rama kërkoi falje dhe për një moment po besojmë se ishte i sinqertë. Por dy ditë para se të shkruante për “Fratin e Kujtimeve” me ton elegjiak, emëron një person të akuzuar si bashkëpunëtor me kartelë të Sigurimit të Shtetit në krye të Policisë së Shtetit. Dhe Kryeministri ynë pretendon që françeskani i paskësh shprehur besimin që pikërisht ky, Edi Rama, mund të bëjë dekomunistizimin e PS-së e të vendit (ndonëse dëshmitarët e asaj bisede pohojnë t’i ketë thënë ‘meqenëse je anarkist, ti mund ta shkatërrosh këtë strukturë bolshevike, jo të dekomunistizosh vendin’ se padre vetëm naiv nuk ishte), megjithëse ka rikthyer të gjitha familjet e bllokut në të. Koha e ka tradhtuar birin e shën Françeskut në këtë besim.

Njerëzore, mëse e tillë duket që fëmijët të mbrojnë prindërit, me raste edhe të jenë krenarë për ta. Edi Rama tha për Kristaq Ramën një skulptor ky vërtet gjurmëlënës, por njëkohësisht edhe komunist i papenduar e anëtar i kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor, post prej të cilit ka vënë edhe një firmë për dënimin me vdekje në litar të poetit Havzi Nela. Nëse për Edi Ramën Kristaq Rama ka qenë në anën e drejtë të historisë, në cilën anë paskësh qenë Pllumi dhe bashkëvuajtësit e tij?

Vjet këso kohe, mes dy përvjetorësh kaq afër me njëri-tjetrin, lindje- vdekje, i shkrova Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, një mesazh ku i kërkoja dhe shpjegoja pse duhej rivlerësuar Pllumi dhe vepra e tij si mënyrë për të rikthyer seriozitetin e institucioneve tona, që bdaren e bastardohen çdo ditë, si dhe vlerën e mesazhit shoqëror. E shikoja edhe si mesazh pajtimi që një President i zgjedhur nga e majta ish-komuniste mund të bënte për një martir burgjesh e rezistence antikomuniste. Duke më befasuar, Presidenti më thotë që nëse kisha mundësi, të shkoja që atë moment dhe të bisedoja nga afër. E vlerësova shumë gatishmërinë dhe në pak minuta u gjenda në zyrën e kreut të shtetit. Ilir Meta ka aftësinë e thjeshtëzimit të gjërave.

Ai është mjaft mirëkuptues, konkret dhe i afrueshëm në bisedë. E mirëpriti menjëherë idenë dhe u ofrua të nderonte At Zefin me medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, meqenëse françeskanët kanë qenë të lidhur posaçërisht me të si figurë kombkrijuese. Të njëjtën i kishte akorduar edhe kardinal Troshanit. Si datë të mundshme projektoi 28 Nëntorin 2019, për simboliken e veçantë që ajo bart. Presidenti e mendonte si një ceremoni solemne në Pallatin Mbretëror, ku nga ana ime i sugjerova si pjesëmarrës specialë për të përshëndetur Aurel Plasarin, Sabri Hamitin dhe Mark Markun, të cilët e njihnin mirë nga afër, por edhe si bashkëpunëtor e studiues jetën e veprën e shkrimtarit të shquar, si dhe filmin e mrekullueshëm dokumentar “Pritja” të regjisorit Roland Sejko, kushtuar klerit katolik dhe vizitave të Papa Gjon Palit e Papa Françeskut në Shqipëri për të pranishmit. Ramë dakord në mënyrë perfekte.

Por asgjë nuk ndodhi. Nëntorit të 2019 po i avitet ai vitit 2020, ngjarjet politike të nxehta apo pandemia mbase e ndollën Presidentin në harresë. Pllumi nuk ka nevojë për të qenë në Fjalorin Enciklopedik shqiptar, s’ka nevojë as për dekorata. Rama dhe Meta a kushdo tjetër nesër, nëse nderojnë Pllumin, më shumë e bëjnë për vete sesa për atë, por dekori i shtetit dhe institucioneve ndryshkur nga shëmtia dhe banaliteti, sigurisht që ka. Gjithsesi, asnjë merak të mos kenë, ditëlindjet apo ditëikjet e Pllumit i nderojnë lexuesit e tij të panumërt, pikërisht ata që vetëm në 13 vjet e kanë shndërruar atë në klasikun e madh të botës shqiptare. Mbetet e fundit ajo, shpresa që këta lexues një ditë të bëjnë shtetin që na duhet./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb