TIRANË-Marrëdheniet mes dy aleatëve në qeverisje Edi Rama dhe Ilir Meta janë bërë shpesh debat mes analistëve dhe media i ka dhënë gjithmonë jehonë. Nuk mungoi në zhegun e Gushtit dhe një titull nga ‘Koha Jonë” e cila paralajmëron se vitin e ardhshëm nuk do të ketë më një muaj Gusht të aleatëve në qeverisje. Sipas kësaj të përditshme, Rama ka bërë çmos që të prishë koalicionin me Metën.

“E sigurtë është se e majta rri në pushtet vetëm nëse PS dhe LSI janë bashkë në fushatën e ardhshme elektorale. Në të kundërt mbetet krejt e sigurtë që PS-ja kalon në opozitë të gjatë. Por nga kulisat dhe nga oreksi i madh i PS-së për të marrë gjithçka nga sofra e së majtës ka mundësi që ky muaji gusht të jetë gushti i fundit i martesës PS-LSI”.

“Prishjen e paktit të “1 prillit 2013” e filloi i pari Edi Rama.Fryu çështjen CEZ-DIA, e pompoi “skandalin” me disa media që financohen prej tij në mënyra të ndryshme, hodhi në veprim ministrin Tahiri me përgjime të paligjshme, ku për pak u sakrifikua edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Haki Çako, kërkoi të shkonte në zgjedhje për 45 ditë me mocion besimi, luajti të gjitha kartat që PD-ja të merrte damken antiamerikane nga Departamenti i Shtetit, bleu deputetë nga PD për shifrën 71 dhe mikloi çamët; u bë gati të hidhte LSI-në me idenë se i vetëm me Shpetim Idrizin do të merrte pushtetin këtë pranverë”.
Analiza vijon më tej duke shkruar se me këto zhvillime, “pala tjetër, Ilir Meta, shtrëngoi dhëmbët, mori pamjen e një njeriu që nuk do sherre, rrezikoi të digjte karrierën e tij politike me insistimin që reforma duhet të bëhet patjetër edhe me opozitën, dhe ia arriti; bëri që klima në PD të mos jetë më agresive ndaj tij që pas prillit 2013, faktorizoi indirekt Lulzim Bashën”.

E duke vënë në dukje se këtë Gusht të dy aleatët secili për hepas të vet po theket në diellin përvëlues, “Koha Jonë” del në një përfundim. “Llogaritë Metës i dalin në të dyja krahët si faktor qeveribërës. Edhe me PS, edhe me PD”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb