Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se numri i njerëzve që u detyruan të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë po rritet dita ditës.

“Kjo luftë e pakuptimtë që po shkakton vuajtje serioze në rajon duhet të përfundojë”, tha Guterres.

Ai u takua me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen, në Vjenë, kryeqytetin e Austrisë.

Van der Bellen theksoi rëndësinë e Kombeve të Bashkuara për popujt e botës.

Ai tha se gjatë takimit dypalësh janë diskutuar çështje të rëndësishme si lufta Rusi-Ukrainë, kriza energjetike dhe ushqimore e shkaktuar nga lufta, si dhe ndryshimet klimatike dhe burimet e rinovueshme të energjisë.

Van der Bellen deklaroi se nuk ishte e mundur të imagjinohej se mund të shpërthejë një luftë në Evropë, por se jo vetëm Evropa, por e gjithë bota u prek nga kriza e shkaktuar nga lufta e nisur nga Rusia, dhe se Bashkimi Evropian (BE) iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.

Guterres po ashtu theksoi se lufta që filloi Rusia në Ukrainë shkaktoi një krizë globale në fushën e energjisë, sigurisë dhe produkteve ushqimore dhe tha se këto çështje i ka diskutuar me bashkëbiseduesit e tij gjatë vizitës së javës së kaluar në Moskë dhe Kiev.

“Numri i njerëzve që për shkak të luftës janë detyruar të largohen nga vendi po rritet. Kjo luftë e pakuptimtë, e cila ka shkaktuar vuajtje serioze në rajon, duhet të përfundojë”, tha Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të takohet më vonë me kryeministrin Karl Nehamer dhe kryetarin e parlamentit Wolfgang Sobotka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb