Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shtuar shkeljet e të drejtave të njeriut. Në një adresim të regjistruar, në hapje të një sesioni të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Guterres tha se OKB-ja ka ekipe në terren për të monitoruar situatën. “Përshkallëzimi i operacioneve ushtarake nga Federata Ruse në Ukrainë po çon në përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha ai, pa dhënë më shumë detaje.

“Ne duhet t’iu tregojmë të gjithë njerëzve në Ukrainë se u qëndrojmë pranë në kohën kur kanë nevojë”, shtoi Guterres. Më herët, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) tha se ka pranuar raporte për disa njerëz që janë bllokuar të hyjnë në trena në Ukrainë. Një zëdhënëse shkroi në Twitter se UNHCR po i shqyrton këto raporte.

Sipas saj, 422,000 njerëz janë larguar tashmë nga Ukraina për në vendet fqinje. UNHCR-ja “i konsideron njerëzit që ikin nga vendi si refugjatë”, shtoi ajo. Sipas UNHCR-së, më shumë se 100,000 njerëz janë zhvendosur tani për tani brenda Ukrainës. Ai ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak”, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga Ukraina.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë. Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës. Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore. Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb