TIRANË- Në një intervistë për radion “Zëri i Amerikës”, deputeti i PS-së, Pandeli Majko u pyet për dekretin e Presidentit të Republikës, për Guvernator të Bankës së Shqipërisë. “Dikush në Presidencë ka qenë në avion”, tha ai në mënyrë ironike. “Nuk është hera e parë që nga Presidenti i Republikës nuk vihet re një komunikim normal me drejtuesit e mazhorancës. Në fund fare i takon Presidentit të cilësuar si simbol i unitetit kombëtar të tolerojë edhe ndonjë tejkalim, nëse ka pasur. Në fund të fundit është një ish-ministër, ish-deputet i PD-së dhe është e kuptueshme”, tha Majko.

“Flasim për Bankën e Shqipërisë, që është një nga kolonat e integritetit financiar të Shqipërisë. Në gjykimin tim, por edhe në gjykimin e mjaft kolegëve që kam biseduar është një ide e mirë që Shqipëria të hapë dyert për institucionet e larta të saj një brezi emigrantësh, të cilët kanë studiuar jashtë shtetit, kanë ndërtuar jetën profesionale në institucionet e larta ndërkombëtare. Mendoj se duhet një reflektim në vazhdim. Mendoja se Presidenti do të ishte më mirëkuptues në këtë çështje”, theksoi deputeti i PS-së. Lidhur me dekorimin e Vito Kapos, Majko e cilësoi “lapsus”. “Nuk mendoj se ne duhet të shikojmë lapsuset e natyrave të ndryshme dhe mbi bazën e lapsuseve të krijojmë fenomenin, se diçka po ndodh, se po kthehet mbrapa”, tha ai.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: