Në datën 1 tetor 2024, Guvernatori Sejko mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti Bretton Woods, me temë “Bankat qendrore dhe bankingu qendror në një botë shumë komplekse: Demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë”, të organizuar në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Konferenca u hap nga Guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit të Bretton Woods, z. Marc Uzan, si dhe Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Gordana Siljanovska Davkova.
Konferenca ishte e organizuar në disa panele, ku u diskutua lidhur me çështje të tilla si: pavarësia e bankave qendrore, si një shtyllë kyçe e ekonomisë moderne politike; perspektiva mbi mandatet e bankave qendrore; financat përfshirëse gjinore në rajonin e EJL-së; dhe vlerësimi i episodit më të fundit të krizës dhe mësimet e nxjerra.
Konferenca mblodhi folës të nderuar nga institucione financiare ndërkombëtare dhe akademike, si dhe nga banka qendrore, si: z. Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Kombëtare të Kroacisë; z. Boštjan Vasle, Guvernator i Bankës së Sllovenisë; zj. Jorgovanka Tabaković, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Serbisë; zj. Irena Radović, Guvernatore e Bankës Qendrore të Malit të Zi; zj. Jasmina Selimović, Guvernatore e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës; z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; zj. Anca Dragu, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Moldavisë.
Në këtë konferencë, Guvernatori Sejko ishte pjesë e panelit me temë “Perspektiva mbi mandatet e bankave qendrore dhe kompromiset e politikave”, në të cilin u trajtuan sfidat e reja lidhur me këtë çështje dhe ndërveprimin e tyre me objektivat e bankave qendrore.
Gjatë panelit, Guvernatori prezantoi progresin e kryer nga Banka e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në fusha si ajo e mbikëqyrjes bankare dhe ajo e sistemeve të pagesave. Në kuadër të kësaj të fundit, ai u ndal në reformat e nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë lidhur me zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, me synim përafrimin e mëtejshëm të tyre me sistemin e pagesave të Eurozonës (SEPA).
Guvernatori Sejko u shpreh se vitet e fundit, “bankat qendrore kanë marrë përsipër përgjegjësi që shtrihen përtej fokusit të tyre tradicional në politikën monetare”. “Ndryshimet klimatike, në veçanti, janë bërë një shqetësim i rëndësishëm, pasi paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë ekonomike”.
Ndërsa përgjegjësitë e reja – të tilla si menaxhimi i rreziqeve klimatike dhe monedhave digjitale – janë të rëndësishme, ato duhet të plotësojnë dhe jo të konkurrojnë rolet tradicionale të bankave qendrore. Guvernatori shtoi se stabiliteti financiar afatgjatë mund të rritet, duke integruar me kujdes këto mandate dytësore.
“Jetojmë në një botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida, të cilat janë njëkohësisht komplekse dhe të ndërlidhura. Përparimi i shpejtë në teknologjinë financiare dhe bankingun digjital, ndryshimet klimatike, tendencat e rënduara demografike, si dhe një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më i ndërlikuar, po vë në provë ekonomitë, shoqëritë dhe paradigmat mbizotëruese të politikave tona. Si bankierë qendrorë nuk mund të qëndrojmë mospërfillës ndaj këtyre sfidave. Ato paraqesin problem serioz për mandatet tona dhe kuadrin e politikave që ndjekim. Mendoj se rruga për të ecur para është të mbetemi të përqendruar në objektivin tonë parësor, atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Aktualisht, duhet t’i njohim, t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë këto sfida, si dhe të reagojmë ndaj tyre nëpërmjet instrumenteve dhe politikës monetare, pa vënë në rrezik objektivin tonë parësor”- u shpreh Guvernatori Sejko.
Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori shtoi se bankat qendrore, duke u përballur me sfidat në rritje që vijnë nga revolucionet e vazhdueshme teknologjike dhe risitë financiare, duhet të rishikojnë në vazhdimësi praktikat ekzistuese dhe të përshtaten me realitetin e ri.
Gjatë punimeve të konferencës, duke përfituar nga rasti Guvernatori Sejko zhvilloi gjithashtu takime me z. Alfred Kammer Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN dhe z. Sebastian Sosa, Rezident Rajonal për Ballkanin Perëndimor të FMN-së. Në këto takime, u diskutua mbi sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale dhe ajo shqiptare në veçanti, perspektivat e të dy institucioneve lidhur me këto sfida si dhe mbi ecurinë e projekteve të përbashkëta në kuadër të asistencës teknike që FMN ofron për Shqipërinë.
Takime të tjera të rëndësishme ishin ato të zhvilluara me Guvernatoren e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatoren e Bankës Qendrore të Malit të Zi, zj. Irena Radović dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, për të diskutuar mbi modernizimin e sistemeve të pagesave dhe më konkretisht projektin për pagesat e shpejta, që synon integrimin e vendeve të rajonit në sistemin evropian TIPS (Instant Payment Settlement).
(BalkanWeb)