Në datën 20 shtator 2022, Guvernatori Gent Sejko priti në një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), z. Mark Bowman, shoqëruar nga zj. Charlotte Ruhe, Drejtoreshë për Evropën Qendrore dhe Juglindore dhe zj. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri.

Zëvendëspresidenti i BERZH-it, z. Bowman, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri në datat 19-21 shtator 2022, në kuadër të mbështetjes që ky institucion i jep Shqipërisë veçanërisht për përputhshmërinë e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimin e energjisë së rinovueshme, si dhe zhvillimin e sektorëve të turizmit dhe bujqësisë.

Në krye të takimit, Guvernatori Sejko e njohu Zëvendëspresidentin Bowman dhe përfaqësuesit e tjerë të BERZH-it me zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare në vend. Ai u shpreh se parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje në horizontin afatmesëm, pavarësisht ambientit të jashtëm sfidues dhe efekteve të tij. Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori theksoi se aftësia e këtij sektori vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Më tej, Guvernatori u ndal në sfidat me të cilat përballet ekonomia në kushtet e një situate botërore me çmime të larta, ecurinë e inflacionit në vend dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për mbajtjen e tij nën kontroll. Banka e Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend – që përbën objektivin kryesor të Bankës së Shqipërisë – si dhe për minimizimin e pasojave që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Gjatë takimit, një fokus të veçantë patën dhe politikat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e deeuroizimit, reduktimit të raportit të kredive me probleme dhe digjitalizimit të sistemeve të pagesave, duke synuar rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe eficencës së sistemeve të pagesave në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë ka vlerësuar dhe inkurajuar aplikimin e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimin në sistemin financiar. Në këtë drejtim, është punuar për nxitjen e përdorimit më të madh të teknologjisë në sistemin e pagesave, për përmirësimin dhe forcimin e kuadrit rregullator për institucionet e pagesave elektronike, si dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe huamarrësit. Një fokus i veçantë i është dedikuar përmirësimit, zhvillimit dhe sigurisë së qëndrueshmërisë së sistemeve informatike.

Më tej, Guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Zëvendëspresidentit të BERZH-it për kontributin e rëndësishëm dhe për mbështetjen që ky institucion ofron në vazhdimësi për Bankën e Shqipërisë. Aktualisht, BERZH-i është duke mbështetur Bankën e Shqipërisë me asistencë teknike në përpjekjet e saj për të vetëvlerësuar përputhshmërinë e kuadrit rregullativ mbikëqyrës me standardet e Bashkimit Evropian sipas metodologjisë së Autoritetit Evropian Bankar.

Zëvendëspresidenti i BERZH-it vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe më në veçanti me sistemin bankar në vend, duke sjellë në jetë projekte shumë të suksesshme dhe me vlerë të shtuar për Shqipërinë. Ai shtoi se BERZH-i do të vazhdojë të mbetet një partner kryesor dhe do të ofrojë mbështetje në fusha kyçe të ekonomisë së vendit. Gjatë vitit 2022, BERZH-i pritet të investojë rreth 200 milionë euro, veçanërisht për financimin e projekteve të sektorit privat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb