Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka dhën verdiktet e saj dhe javën futbollistike që sapo lamë pas, ndërsa për vendimet e saj ka pasur shumë interes, sidomos pas akuzave të klubit të Skënderbeut, sipas të cilit lojtarët e tij janë dhunuar përpara sfidës ndaj Kastriotit.

Kështu, disiplina, pasi ka shqyrtuar relacionet e zyrtarëve të ndeshjes, ka dënuar Kastriotit me zhvillimin e dy takimeve në fushë asnjanëse dhe me një gjobë prej 50 mijë lejësh të reja. Krejt ndryshe nga çka priste Skënderbeu, me drejtuesit korçarë që minimalisht kërkonin fitoren në tavolinë dhe që mund ta apelojnë këtë vendim të disiplinës.

Po ashtu, disiplina ka gjobitur Flamurtarin dhe Tiranën për sjellje të gabuar të tifozërive, por sikundër në rastin e ndeshjes Kukësi-Laçi, ku u anashkalua goditja e gjyqtarit anësor, edhe për ndeshjen Flamurtari-Kukësi, disiplina ka mbajtur të njëjtin standard, duke konfirmuar se vijon të mos respektojë nenet e Kodit Sportiv.

Ja vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës:

1. KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek.
2. KS “Kastrioti”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes kundër KF Skëndërbeu duke mos garantuar sigurine e lojtarëve kundërshtarë si dhe sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të nenit 5/2; 64/c; 65/2 dhe 66/1 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve në fushë asnjanëse dhe gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lekë. Për vlerësimin e kriterit infrastrukturor çështja t’i referohet Komisionit te Liçesimit.
3. Zyrtari i KS “Kastrioti”, Gazment Vogli, për sjellje të gabuar ndaj zyrtarëve të ndeshjes duke përdorur fjalë fyese, në bazë të Nenit 49/2/a) të KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike. Në bazë të nenit 20 të KDS, zyrtarit i ndalohet qëndrimin në dhomat e zhveshjes, stoli i rezervave dhe territori përreth fushës.
4. FC “Flamurtari”, për sjellje të gabuar të spektatoreve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek.
5. Zyrtari i KF “Egnatia”, Agron Alia, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
6. KF “Bylis”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek. Në aplikim te Nenit 136/1.a të KDS, gjoba shlyhet në masën 50%.
7. Lojtari i KF “Burreli” U -17, Samuel Kola, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
8. Zyrtari i KF “Brians” U-17, Kreshnik Ivanaj për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
9. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Shkëndija DR” U-19, Etnik Kameri, si të pa bazuar në KDS dhe Rregulloret e tjera të FSHF.
10. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Kukësi” U-17, Ervis Patarria, si të pa bazuar në KDS dhe Rregulloret e tjera të FSHF.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb