Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ka habitur me një deklaratë të tij të fundit, ku tha se ishte ai që i dha fund Luftës së Ftohtë.

I ftuar në një emision mëngjesi, u vetëshpall arkitekti kryesor që i dha fund tensioneve gjeopolitike që pasuan Luftën e Dytë Botërore.

“Kur isha në qeveri në vitin 2001, deklarova publikisht se doja t’i jepja fund Luftës së Ftohtë, e cila vijonte prej 50 vitesh dhe shkaktonte vuajtje,” u shpreh lideri i bllokut të qendrës së djathtë.

Deklarata e 4 herë kryeministrit me siguri ka tronditur shumicën e historianëve, të cilët thonë se Lufta e Ftohtë përfundoi në periudhën mes rënies së Murit të Berlinit në 1989 dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në 1991.

Por për Berlusconi-n, kjo luftë ka përfunduar në maj 2002 në një samit të NATO-s të organizuar pranë Romës, me pjesëmarrës presidentin e atëhershëm amerikan George W. Bush dhe presidentin rus Vladimir Putin.

“Ia dola t’i jepja fund asaj lufte sepse pikërisht këtu në Romë unë binda Bush-in e Putin-in, duke përdorur gjithë talentin tim për të krijuar marrëdhënie miqësore,” shtoi më tej Berlusconi.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: