PRAGE- Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, në fjalën e saj në sesion mbyllës të Habitatit Europian që u mbajt në Pragë në datat 16-18 Mars, tha se zhvillimi i qëndrueshëm dhe i integruar urban i qyteteve do të sjellë ndryshime pozitive në cilësinë e jetës për qytetarët. Ministrja mbështeti dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për zbatimin e masave të përfshira në Deklaratën e Pragës, e cila u miratua nga përfaqësues të 56 vendeve anëtare të UNECE (Komitetit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën), nga Evropa, Ballkani, Amerika e Veriut, dhe një pjesë të Azisë.

“Shqipëria ka hyrë tashmë në një proces të rëndësishëm, në fushën e planifikimit të territorit. Për herë të parë ne kemi hartuar tre plane strategjike kombëtare, si dhe po punojmë për hartimin e 31 planeve të përgjithshme vendore. Këta tre instrumeta strategjikë kombëtare të planifikimit do të orientojnë dhe përcaktojnë vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm urban, social, ekonomik dhe mjedisor për 10–20 vitet e ardhshme. Zhvillimi i qëndrueshëm urban ka karakter dinamik dhe karakterizohet nga ndryshime të vazhdueshme sociale, ekonomike, ekologjike dhe mjedisore. Harmonizimi do të lejojë përdorimin e hapësirave publike nga të gjithë qytetarët, për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe miqësor brenda qyteteve tona. Dua të theksoj se ndërhyrjet e zhvillimit urban duhet të ofrojnë zgjidhje të pjekura për të krijuar dhe zbatuar standardet që lehtësojnë aksesin për të gjithë qytetarët”, tha ndër të tjera ministrja Gjermeni.

Habitati Europian ishtë një prej aktiviteteve kryesore për përgatitjen e Konferencës së tretë botërore të OKB-së mbi Strehimin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban “Habitatit III”, që do të mbahet në Ekuador në tetor të këtij viti.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb