* Hafizi: Të zhvillohet garë për kreun e Partisë

TIRANE- Deputetja e PS-­së në Shkodër, Mimoza Hafizi u tregua mjaft kritike në fjalën e saj në Kongresin e PS­-së. E njohur si një nga deputetet që mbështet Ben Blushit për zbatimin e statutit të PS-­së, Hafizi e nisi me kritikat e saj për PS-­në e Shkodrës për të dalë deri në qendër, te zgjedhjet për kreun e PS­-së.

Hafizi tha se PS-­ja e Shkodrës e ka patur armikun më të madh brenda vetes, pasi në krye të saj janë vendosur njerëz të komanduar dhe aventurierë, që sot përgjigjen para drejtësisë. Ajo tha se asnjëherë nuk është pyetur për ndryshimet dhe riorganizimin e PS­-së në Shkodër, edhe pse është deputete e asaj zone, duke qenë pa vendimmarrje. Deputetja e Shkodrës më pas kaloi te zgjedhjet për kreun e PS­-së, ku i bëri thirrje kongresit të vendoste për një garë siç e kërkon statuti.

“Partia është në duar të atyre që janë sot para drejtësisë. Kam qenë e përjashtuar nga vendimmarrja, dhe nuk kam mbuluar asnjë zonë në Shkodër. PS e Shkodrës duhet të ishte barrierë e korrupsionit, por beteja ime për Shkodrën u bë e padukshme. Kur normat funksionojnë janë barriera të anti-shtetit. Në Shkodër janë zbatuar në çdo pikë të statutit, por normat nuk mund të zbatohen vetëm nga baza. Ato duhet të zbatohen edhe në qendër. Është normë hapja e garës për kreun e partisë. Koha do të tregojë nëse kemi bërë hapa përpara. Merrni në dorë fatin e partisë me përgjegjësi qytetare, pasi jemi dhe duhet të mbetemi një parti e madhe në vend”, tha deputetja Mimoza Hafizi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: