Rezultatet dhe niveli i Kombëtares në vitet e fundit duket se kanë krijuar një hendek jo të vogël mes saj dhe kampionatit shqiptar. Mirëpo, paraqitjet e fundit të Skënderbeut në Europa Ligë, pjesëmarrëse për të dytën herë, bën që të ngrihet një pikëpyetje e madhe në lidhje me listën e ndërtuar nga trajneri i Kombëtares. Kur vjen puna për përfshirjen e elementëve të spikatur nga Superiorja, çfarë duhet të bëjë më shumë një si Sabjen Lilaj?

Mesfushori korçar nuk është grumbulluar për dy ndeshjet me Spanjën dhe Italinë, edhe pse po kalon një moment të shkëlqyer. Në lidhje me këtë, ish-trajneri kuqezi, Astrit Hafizi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, analizon zgjedhjet e bëra së fundmi nga Panuçi. Sipas Hafizit, Lilaj është një element i veçantë i kampionatit dhe i domosdoshëm për Kombëtaren, duke qenë se kuqezinjtë po vuajnë së fundmi në aspektin e ndërtimit të lojës në mesfushë.

Si e gjykoni faktin që Sabjen Lilaj nuk është grumbulluar me Kombëtaren, edhe pas formës së mirë të treguar në grupet e një kompeticioni si Europa Ligë, krahas kampionatit?
Këto janë disa mendime ose disa ekskluzivitete në lidhje me përzgjedhjen e lojtarëve që unë mendoj se i ka vetëm trajneri i Kombëtares. Kjo është e padiskutueshme. Pastaj, po të analizojmë në veçanti, edhe unë kam rezervat e mia për mosthirrjen e Lilajt. Një lojtar që ka bërë mirë dhe vazhdon që të ketë një paraqitje konstante në klubin e tij edhe në ndeshjet e Kupave të Europës. Aq më tepër, në vendin që ne kemi shumë nevojë, në repartin e mesit të fushës ku kemi nevojë për organizimin e ndeshjes. Më duket një zgjedhje jo e gjetur mirë nga ana e trajnerit, por i qëndroj asaj që thashë në fillim. Këto janë disa mendime të tij në lidhje me lojën dhe mënyrën e vendosjes së skuadrës. Në dy ndeshjet e fundit që pamë, Panuçi vazhdon që të jetë në një linjë me paraardhësin e tij në zgjedhjen e lojtarëve. Ndoshta edhe këto dy ndeshje të mbetura të kualifikueseve ai ka menduar që t’i mbyllë kështu. Pastaj, në të ardhmen, nuk e di se si do të vazhdojë.

Sa dekurajues për të rinjtë e talentuar në kampionatin tonë është rasti “Lilaj”?
Nuk është hera e parë që nuk thirren në Kombëtare lojtarë të veçantë nga kampionati ynë. Ka vite që ndodh diçka e tillë. Ose edhe rasti i ndonjërit që grumbullohet, ndodh me shumë vështirësi ose me ndonjë arsye të madhe: ose për mungesa të shumta, ose për dëmtim të shumë lojtarëve, ose për emergjencë kur ka pasur mungesa në minutat e fundit të lojtarëve nga jashtë. Në këtë rast, janë afruar lojtarët nga kampionati ynë. Unë mendoj që nuk ka qenë ndonjëherë e paramenduar që të thërriten lojtarë nga kampionati ynë. Ky është fati i lojtarëve tanë të rinj, sidomos atyre që janë të spikatur. I tillë është fati i tyre dhe do të vuajnë, do të vuajnë dhe do të kenë pak hapësira. Megjithatë, me ardhjen e trajnerit të ri, unë jam i mendimit që të presim përfundimin e këtyre dy ndeshjeve të mbetura nga këto kualifikuese dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, jam i mendimit që lojtarët e kampionatit shqiptar do ta kenë të vështirë që të thërriten.

Sa normale ju duket një strategji e tillë e ndjekur nga trajneri i Kombëtares në raport me produktin vendas?
Kështu vazhdon një gjë e tillë, përderisa mbetet në dorë të trajnerit. Të jemi edhe ne realistë. Një trajner i Kombëtares ka të gjithë të drejtën e tij të zgjedhë lojtarët që do në ekip. Përderisa skuadra vazhdon me rezultate, zgjedhjet e bëra kanë qenë deri diku të justifikuara, për vetë kualifikimin në Europian. Në një rast të tillë, çdo gjë e justifikon trajnerin, por, në një rast të kundërt, kur ekipi do të ketë vështirësi dhe kur mund t’i mungojnë rezultatet, pastaj do të kthehemi te diskutimi i mosthirrjes së këtyre lojtarëve. Në veçanti të lojtarëve të tipit “Lilaj”. Unë mendoj se është shumë i domosdoshëm për ekipin Kombëtar./p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: