Dy deputetët Ben Blushi e Mimoza Hafizi ishin këtë fundjavë me qytetarë të Vlorës dhe Gjirokastrës, për të vijuar kontaktet për krijimin e forcës së re politike. Këtë e ka njoftuar dje, përmes një statusi në “Facebook”, Mimoza Hafizi, e cila publikoi edhe një numër celulari, ku fton të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e nismës së tyre.

“Kam kaluar dy ditë inkurajuese mes qytetarësh vlonjatë e gjirokastritë, të cilët kërkojnë, mbështesin e frymëzojnë forcën tonë të re politike. Kam takuar mësues e gazetarë, pedagogë e nxënës, sipërmarrës biznesi, të rinj e pensionistë, profesionistë të lirë, njerëz të punës së ndershme, qytetarë të thjeshtë e pa histori politike, burra e gra që e neverisin politikën si trampolinë përfitimi vetjak”, – shkruan Hafizi në “FB”.

“Kam shkëmbyer ide për aksion me shqiptarë që sfidojnë pesimizmin dhe mungesën e shpresës që na ka mbërthyer, me vizion e besim për të ardhmen e këtij vendi, me miq që e refuzojnë këtë klasë politike, këtë sistem të degraduar që në dekada ka penguar progresin e Shqipërisë. Kam ndarë qëllimin dhe parimet kryesore të nismës sonë me qytetarë që janë të gatshëm të bëhen pjesë e një lëvizjeje politike njerëzish të lirë e të barabartë, lëvizjeje politike që vë Shqipërinë mbi partinë. Miq të nderuar, gjithsecili që dëshiron të jetë pjesë e kësaj nisme, mund të kontaktojë me SMS në 0685349519”, përfundon mesazhi i Hafizit, drejtuar të gjithë miqve të saj në rrjetin social.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: