Tribunali në Hagë refuzoi që të lirojë në mënyrë të parakohshme, Milomir Stakiç.

Ai u dënua me 40 vjet burg për krime kundër myslimanëve dhe kroatëve në Prijedor gjatë luftës në Bosnje, shkruajnë mediat e huaja.

Kreu i Gjyqit, Carmel Agius, theksoi se Stakiç nuk ka vuajtur ende dy të tretat e dënimit, që është një kusht i domosdoshëm për paraqitjen e një kërkese për lirim të parakohshëm. Stakiç do të vuajë dy të tretat e dënimit të tij në vitin 2027, raporton B92.

Autoritetet e Francës, ku ai po vuan dënimin e tij, informuan gjykatën në Hagë se sipas ligjeve atje, i dënuari pas gjysmës së dënimit të vuajtur fiton të drejtën të kërkojë lirim të parakohshëm.

Stakiç, ish-kryetari i Komunës së Prijedor, u dënua nga gjykata e Hagës me 40 vjet burg në vitin 2006, duke e shpallur atë fajtor për shfarosje, vrasje, persekutim dhe transferim me forcë të popullatës joserbe në komunë në vitin 1992.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb