Gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë zgjedhur gjykatësin Çarls Smith III nënkryetar të ri. Në një komunikatë për media është thënë se kryetarja e këtyre Dhomave, Ekaterina Trendafilova ka uruar gjykatësin Smith për pozitën në të cilën është emëruar.

Më 28 prill në këtë Gjykatë është paraqitur edhe një aktakuzë e re. Në njoftimin e këtij institucioni, me seli në Hagë, është thënë se kryetarja e trupit gjykues ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake “për të shqyrtuar një aktakuzë të re, të paraqitur nga një prokuror i specializuar”.

“Përmbajtja e aktakuzave mbahet konfidenciale derisa ato të konfirmohen nga gjykatësi i procedurës paraprake”, është thënë në njoftim.

Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. Prokurori i specializuar, Jack Smith, ka paraqitur edhe një aktakuzë në shkurt, e cila është në proces të konfirmimit.

Kryetarja, edhe për procedurën e parë paraprake, edhe për të dytën, ka caktuar gjykatësin Nicolas Guillou. Gjykata Speciale – me emrin Dhomat e Specializuara – funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.

Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb