Holanda kërkon të jetë “portë hyrëse” e presidentit amerikan, Joe Biden drejt Europës pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE, deklaroi  kryeministri holandez, Mark Rutte.

Rutte shtoi se Holanda është vendi më transatlantik i Bashkimit Europian dhe se dëshironte të merrte rolin e Britanisë së Madhe, pas Brexit dhe largimit të Donald Trump.

Holandezët dhe britanikët kanë qenë aleat për një kohë të gjatë në mbrojtjen e tregtisë së lirë dhe ata janë pozicionuar shpesh kundër francezëve dhe gjermanëve për çështjet tregtare brenda BE-së.

“Holanda natyrisht do të dëshironte, pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE, të luante një rol të veçantë në këtë marrëdhënie me Amerikën, jo vetëm si një portë hyrëse fizike, por edhe politike drejt Europës”, deklaroi Rutte në një konferencë shtypi.

“Kështu që unë do të doja gjithashtu të përdorja këto lidhje të vjetra për t’u përpjekur të luaj një rol në marrëdhëniet Amerikë-Europë”, shtoi ai.

Rutte deklaroi se ende nuk kishte folur me presidentin amerikan, Joe Biden në telefon dhe se nuk kishte parashikuar ende një bisedë telefonike duke shtuar se ai e kishte takuar disa herë në të kaluarën.

Kryeministri holandez dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen një javë më parë pas një skandali lidhur me ndihmat sociale familjare, por ata vazhdojnë të drejtojnë deri në zgjedhjet legjislative, parashikuar më 17 mars.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb