Komisioneri Evropian për zgjerim Johannes Hahn ka dërguar porosi të qarta nga Helsinki për Kosovën dhe Serbinë. Hahn ka kërkuar vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Është thelbësore që Kosova ta heq taksën. Zgjidhja, rrjedha pozitive e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është element kyç për të ardhmen e perspektivës evropiane të gjithë rajonit”, tha Hahn nga Helsinki ku është duke u zhvilluar takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Hahn përsëriti thirrjen e tij për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje Serbisë të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme heqja e taksës sepse është kundër parimeve të Bashkësisë. Kur bëhet fjalë për tregtinë e lirë, nuk ka vend për taksa. Kjo duhet të ndryshojë. Në të dyja palët duhet të bëhen hapa njëri drejt tjetrit. Mendoj se mund të gjejmë zgjidhje dhe se kjo nuk është e pamundur” theksoi Hahn.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb