Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 të gazetares Evis Ahmeti u trajtua rasti zhdukjes së 16-vjeçares nga Vlora, Eliza Tozaj, e cila u gjet dje nga policia.

Rasti i denoncuar nga prindërit tronditi mbarë opinionin publik. Në studion e emisionit kanë qenë më parë prindërit e 16-vjeçares në transmetim ‘live’ duke treguar detaje nga momenti i zhdukjes. Nëna e 16-vjeçares pohoi se vajza atë ditë kishte marrë pjesë si çdo herë tjetër në mësim. Por nga ana tjetër maratonë kanë qenë dëshmitë e qytetarëve të shumtë, të cilët dhanë informacione për 16-vjeçaren Eliza Tozaj.

Nëna rrëfeu se vetëm dy ditë para se 16-vjeçarja të largohej nga shtëpia, kishte kapur mesazhe dhe komunikim në telefonin e së bijës me një djalë. Nëna pohoi se kishte biseduar qetësisht me vajzën duke i kërkuar që të shkëpuste këtë marrëdhënie pasi mosha e saj ishte jo e duhur për të pasur një të dashur. Madje ditën e djeshme nëna ka akuzuar drejtpërdrejt djalin me të cilin 16-vjeçarja shkëmbente mesazhe. Por në një lidhje telefonike nëna e djalit pohoi se të gjitha janë gënjeshtra. Ditën e sotme ajo së bashku me djalin dhanë dëshminë  e tyre dhe gjithë të vërtetën e kësaj lidhje mes të rinjve.

“Unë kam punuar me nënën e vajzës në të njëjtin biznes, kam shumë respekt për Entelën, është zonjë. Më vonë ajo solli gocën në shtator të 2021 për të mësuar zanatin e kuzhinës sepse ajo po mbaronte shkollën tregtare me këtë zanat. Erdhi edhe vajza dhe pasi ne u njohëm me njëri-tjetrin dhe një ditë unë u shpreha dhe i tregova se kisha pëlqim ndaj saj. Ajo ma ktheu me të njëjtën gjë dhe tha se nëse nuk do ja thosha unë do ma thoshte ajo. Një ditë nëna me vajzën largohen në fshat te shtëpia e tyre, atë ditë më vjen një sms në telefon ‘hajde më merr se do më vrasin’ unë nuk dija çfarë të bëja u shqetësova shumë. Pak minuta më vonë, më merr në telefon babai i vajzës dhe më thotë që ti je djali që je lidhur me vajzën tonë, na prit nesër në Vlorë. Ata erdhën dhe u takuam të dy familjet, por ata më vunë kusht që vajzën ta shikoja nga larg dhe jo afër të qëndroja me të vetëm. Kur u takuam nëna e saj tha që nuk e kisha kuptuar, por vajza mua më tha gjë tjetër që mamaja e saj e kishte kuptuar lidhjen tonë. Unë me nënën e vajzës kisha marrëdhënie të mira dhe kur unë u lidha me vajzën, marrëdhënia ndryshoi 360 gradë. Mirëpo ata gjithmonë e kërcënonin për marrëdhënien tonë, unë nuk e theva rregullin që vendosi familja e vajzës pasi ata më kërkuan të mos e takoja vetëm pa mbushur moshën 18 vjeç. Një ditë shkova te shkolla e saj pasi doja ta takoja vajzën si dy të dashuruar, atë ditë u takova pas shkollës aty na gjeti mësuesja e saj që edhe unë e njihja se nxënës i asaj shkolle kam qenë edhe unë. Pastaj unë u largova dhe më merr nëna e vajzës dhe më pohoi që nuk ke për ta marr vajzën time sepse do ta martoj me dikë tjetër, madje më kërkoi që të takoheshim pasi donin të më kthenin një varëse që unë ja kisha dhuruar si simbol. Shkova dhe aty vajza donte të fliste, por nuk mundi dhe aty unë shkëputa marrëdhënien, pra komunikimin me vajzën në nëntor të vitit 2021. Por nga data 10 janar ajo më shkruan sërish duke më kërkuar  sërish komunikim me mesazhe dhe duke më kërkuar të vazhdonim lidhjen. Ishte data 12 e mërkurë e javës së kaluar kur më merr Entela nëna e saj në telefon duke më pyetur nëse kisha folur me Elizën, pasi vajza atë ditë kishte ikur nga shtëpia. Më kërkuan ta kërkonim te shkolla e saj dhe unë shkova e kemi kërkuar mbi 3 orë. Atë moment marr mamin tim dhe i them të telefononte policinë, ora kishte shkuar 8 e 30, pastaj ne u larguam në shtëpi dhe rreth orës 9 të mbrëmjes prindërit e saj më morën në telefon dhe më pohuan se e kishin gjetur. Pra kjo ikje është të mërkurën vetëm dy ditë para se të zhdukej në mënyrë të mistershme. Ajo nuk është një vajzë e ndrojtur, unë e njoh mirë, por familja e saj nuk donin që të kishim lidhje me mua, gjithmonë i thoshin që atë djalë nuk ke për ta marrë”, tha i dashuri i vajzës.

Ai madje rrëfeu se është kërcënuar nga të afërmit e vajzës dhe se ka kërkuar urdhër mbrojtje, ndërsa hodhi dyshime se 16-vjeçarja ka njohje me një djalë tjetër, por nuk e tregon pasi ka frikë.

“Nëna e saj ndryshoi shumë pasi morën vesh se ishte lidhur me mua. Unë nuk e di se dhe kur ajo u largua nga shtëpia për herë të parë unë doja ta kërkoja por prindërit e saj më thanë që po erdhe do të vrasim. Unë di që familja e saj nuk më ka dashur mua si dhëndër, vajza qante dhe rrinte pa ngrënë dhe donte të kishte një njeri pranë. Unë kisha vendosur që ditë të diel të shkonim të çoja një ‘nishan’ unazë. Kam frikë dhe dyshoj se ajo ka një njohje tjetër me një djalë tjetër, por ajo nuk e tregon sepse ka frikë dhe ngaqë ajo më ka prezantuar vetëm mua. Daja i vajzës më ka kërcënuar dhe më kapi duke më thënë që të nxirrja vajzën ku e kisha fshehur dhe në moment futi dorën në xhup dhe tentoi të nxirrte diçka nga xhupi. Unë menjëherë mora mamin dhe ikëm në komisariat përveçse deklaruam për atë çka akuzoheshim unë kërkova urdhër mbrojtje sepse kërcënohem, por veç deklaratës që dhamë nuk morëm asnjë ndihmë”, tregoi ai.

Edhe nëna e djali konfirmoi të njëjtin version dhe tha se djali i saj është kërcënuar.

“Djalin ma kanë kërcënuar për ta vrarë njerëzit e 16-vjeçares. Ata e kanë akuzuar djalin për rrëmbim të vajzës, daja i Elizës e kërcënonte për ta vrarë, ai i kërkonte djalit që të nxirrte vajzën, por djali i tha nuk kam asnjë vajzë”, tregoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb